Arbëri

Qeveria kërkon pastërti, por nuk shpërblen punëtorët e “Pastrimit”

Descriptive Text

Riza Selimi, punëtor në kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë, asnjëherë nuk ka ndërprerë punën, me gjithë rrezikun nga ndonjë infektim i mundshëm me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.

Nga 13 marsi i këtij viti, kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente të Qeverisë tashmë në detyrë të Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, biznese të shumta, institucione publike dhe shërbyese ndërprenë punën, ose veprimtarinë e tyre po e zhvillojnë me kapacitete të zvogëluara.

Por, punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, gjatë kësaj periudhe iu është dyfishuar puna.

Selimi, i cili është menaxher i njësisë së bartjes së mbeturinave në Komunën e Prishtinës, thotë se që nga paraqitja e rasteve me koronavirus, ai ka qenë në vendin e punës.

Por, Selimi thotë se është i zhgënjyer me vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës, pasi në Pakon Emergjente Fiskale, punëtorët e pastrimit nuk do të ndihmohen financiarisht, ashtu siç ka ndodhur me punëtorët e sektorëve të tjerë, të cilët përfitojnë nga kjo pako e qeverisë.

“Shumë jemi të zhgënjyer sepse jemi diskriminuar. Nuk e di kush e ka planifikuar që të përjashtojë nga pakoja një nga sektorët kryesorë, do të thotë që vjen pas stafit mjekësor dhe policisë. Sepse pa pastërti të qytetit, nuk e di se si do të mbroheshim nga pandemia. Nëse për 24 orë nuk mblidhen mbeturinat në Prishtinë, krijohet kaos”, thotë Selimi.

“Pastrimi” mori mbeturinat nga spitali, karantina...

Në Pakon Emergjente Fiskale të qeverisë parashihet që shpërblim shtesë në vlerë nga 300 euro për dy muajt në vijim, të ndahen për stafin mjekësor, policinë dhe zjarrfikësit. Kurse me nga 100 euro për dy muaj, është vendosur që të shpërblehen punëtorët që gjatë kësaj faze kanë punuar në markete ushqimore, furra dhe farmaci, të cilët supozohet se kanë qenë të ekspozuar ndaj rrezikut.

Por, kryeshefi ekzekutiv në këtë kompaninë “Pastrimi”, Burim Kelmendi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se edhe punëtorët e kësaj kompanie kanë qenë të rrezikuar nga infektimi me koronavirus, pasi kanë kryer shërbimet e nevojshme gjatë gjithë kohës.

“Punëtorët tanë në shërbim, edhe në Klinikën Infektive ku po trajtohen personat e infektuar më koronavirus, dy herë në ditë i zbrazin kontejnerët e mbeturinave. Madje, në të gjitha familjet në shtatë komunat ku operon kompania, është kryer shërbim i posaçëm derë më derë. Nga ndërtesat e Prishtinës e deri te Qendra e Studentëve që tashmë shfrytëzohet si karantinë, punëtorët kanë qenë në shërbim”, shprehet Kelmendi.

Të plotë mund ta lexoni në REL