Arbëri

Në Infektivë vetëm 7 pacientë me Covid-19, numri më i vogël që prej fillimit

Që nga 13 marsi kur Kosova kishte shënuar rastet e para me COVID-19, Klinika Infektive këtë të martë ka pasur numrin më të vogël të pacientëve.

Në këtë klinikë trajtimin po e vazhdojnë vetëm 7 pacientë. Mirëpo, 3 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në mjekim intensiv.

Në këtë klinikë trajtimin po e vazhdon edhe një pacient, i cili në rezultatet për COVID-19 ka dalë negativ, raporton KOHA.

Në 24 orët e fundit, në testet e IKSHPK-së, vetëm 3 persona kanë rezultuar pozitivë në testet për COVID-19. Që të tre personat janë nga Prishtina, përkatësisht lagja “Kalabria”.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, përmes telefonit ka konfirmuar se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ai ka shtuar se në QKMF në Prishtinë u janë marrë mostra rreth 40 kontakteve të njërit prej personave të infektuar, rezultatet e të cilëve do të publikohen në orët e pasdites.

Deri më tani në Kosovë janë mbi 750 persona të shëruar dhe mbi 900 të infektuar.