Arbëri

Veseli kërkon sërish që stacioni i trenave në Prishtinë të shndërrohet në “Muze të dhimbjes”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar sërish që stacioni i trenave në Prishtinë të shndërrohet në muze.

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeut, Veseli ka vizituar këtë stacion dhe sipas tij, ai duhet të shërbejë si kujtesë e dëbimit të qindra-mijëra shqiptarëve gjatë kohës së luftës nga regjimi serb.

"Kjo është fusha e dhimbjes së Prishtinës, ky është monument në vete ku gjysma e Prishtinës janë depërtuar e nuk e kanë ditur fatin e tyre. Ky monument duhet të zyrtarizohet. Më vjen keq që nuk ka ndodhur po nuk ka qare pa ndodhur. Ky do të jetë muzeu i dhembjes së Kosovës, muzeu i dhembjes së Prishtinës dhe pjesa te tjegullorja atje ku do ta ndërtojmë. Nuk duhet të jemi popull hakmarrës, por ta dokumentojmë dhimbjen që e kemi kaluar", tha Veseli.

Gjatë vitit 1999, mijëra shqiptarë nga këtu janë nisur me dhunë me trena drejt Maqedonisë ku kanë qëndruar deri në fund të luftës si refugjatë.
 

Remzi Berisha, dëshmitar i deportimeve, ka treguar se pothuajse të gjithë qytetarët e Prishtinës gjatë luftës kanë kaluar në këtë hapësirë të stacionit të trenave.

"Janë bartur kufoma nga këtu sepse kanë vdekur pleq. Krejt Prishtina ka kaluar nga këtu, ka pasur raste që qytetarët edhe kanë kaluar natën në këto shtëpi te stacioni, kush ka mundur ka hyrë për dritare e për dere", tha ai, përcjell KP-ja.