Arbëri

Ligji për buxhetin dhe pakoja emergjente ishin fokusi i MF-së gjatë 100-ditëshit

Përgatitja e buxhetit për 2020 dhe intervenimet në të, pakoja emergjente fiskale dhe pakoja e rimëkëmbjes janë fushat në të cilat Ministria e Financave dhe Transfereve është fokusuar brenda 100 ditëve të qeverisjes.

Edhe pse sipas ekonomistëve, këto 100 ditë nuk mund të krahasohen me Qeveritë e kaluara shkaku i mocionit të votëbesimit ende pa u mbushur dy muaj, Qeveria Kurti nuk ka bërë asnjë lëvizje inkurajuese për tërheqjen e investimeve të huaja. Edhe përhapja e pandemisë COVID-19 sipas tyre, ka ndikuar që sektorët specifikë të fokusohen vetëm në menaxhimin dhe pasojat e saj, përfshirë edhe ato në ekonomi.

Por, kritika ekonomistët kanë adresuar edhe për mosaprovimin e iniciativave ligjore siç është ligji për tatimet. Ata thonë se fokusi është bërë vetëm te pakoja emergjente fiskale, për të cilën ka ende ankesa nga bizneset që nuk i kanë marrë mjetet, raporton KOHA.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë për gazetën se në aspektin legjislativ, Qeveria ka aprovuar dhe ka arritur të marrë aprovimin e Kuvendit vetëm për Ligjin për Buxhetin e vitit 2020, derisa nismat e tjera ligjore, përfshirë edhe ato për aktet primare legjislative të cilat kanë qenë të gatshme për procedim nga Qeveritë e kaluara nuk kanë mundur të shqyrtohen pas mocionit të votëbesimit.

“E njëjta vlen edhe për Ministrinë e Financave dhe Transfereve, ku komuniteti i biznesit ka pritur shqyrtimin dhe aprovimin e ligjeve tatimore të përgatitura gjatë mandatit të kaluar qeverisës”, ka thënë ai. Sipas tij, tash e sa vite ndërmarrjet në Kosovë presin ndryshimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili do të mundësonte mbledhjen e brendshme të TVSH-së kundrejt mbledhjes në kufi që vështirëson likuiditetin e bizneseve.

Zeka ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka bërë asnjë lëvizje sa u përket investitorëve të huaj. “Oda Ekonomike Amerikane ka pranuar ankesa të shumta nga ana e bizneseve që kanë aplikuar për marrjen e statusit të investitorit strategjik, disa prej të cilave ka vite që janë dorëzuar, e për të cilat ende nuk ka ndonjë epilog”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin që të zvarrisë trajtimin dhe marrjen e vendimeve për kërkesat e investitorëve potencialë.