Arbëri

Lumezi: Laboratorët e forenzikës, të një rëndësie të veçantë për sistemin e drejtësisë penale

Descriptive Text

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka marrë pjesë në tryezën e punës lidhur me Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, të organizuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Në ketë tryezë, Kryeprokurori Lumezi tha se Laboratorët e forenzikës janë shumë të rëndësishëm për sistemin tonë të drejtësisë penale.

Ai theksoi se përmes ekzaminimeve shkencore të provave të marra në vendin e krimit, laboratorët e forenzikës sigurojnë informacione të çmuara të cilat ndihmojnë në hetimin, zbulimin dhe identifikimin e kryerësve të veprave penale.

“Sistemet e ndryshme të drejtësisë penale gjithnjë e më shumë mbështeten në shkencën e forenzikës dhe në teknologjitë e reja të cilat çdo ditë e më shumë vinë në shprehje. Shërbimet e laboratorëve të forenzikës janë çelës për një sistem gjyqësor të efektshëm dhe të drejtë, sepse ofrojnë informacione objektive dhe në kohë në të gjitha fazat e procedurës penale”, ka thënë Lumezi, raporton Koha.net.

Gjithashtu, tha Lumezi, rëndësi të veçantë ka edhe diskutimi dhe shtjellimi i rolit dhe shërbimeve që ofron Agjencia e Kosovës për Forenzikë, raporti i saj me prokurorinë dhe standardet ndërkombëtare për ekspertime forenzike.

Sipas tij, qëllimi përfundimtar i shkencës, por edhe i shërbimeve të forenzikës, duhet t’i kontribuojë gjetjes të së vërtetës, më saktësisht për të siguruar sistemin e drejtësisë penale me përgjigje, duke përdorur dëshmi objektive, dhe me pyetje që kanë për qëllim përcaktimin e fajit apo të pafajësisë së një autori të veprës penale.