Arbëri

Haliti e cilëson gabim lejimin e ndihmës me teste nga Serbia

Xhavit Haliti, anëtar i kryesisë së PDK-së, e ka cilësuar të gabuar vendimin e Qeverisë në detyrë që të pranojë 1000 teste nga Serbia si ndihmë për ballafaqimin me koronavirusin.

Në Deskun e KOHËS, Haliti ka thënë se nuk ka qenë koha e duhur që të pranoheshin ndihma nga Serbia, për shkak “të pretendimeve që akoma ka ai vend”.

“Ne kemi pas divergjenca në deklarime politike, njëra parti nga tjetra, për aftësitë që ka pas Qeveria apo për angazhimin që ka pas për të fituar këtë betejë dhe Instituti i Shëndetësisë që ishte tërësisht i përkushtuar rreth kësaj çështjeje. Po besoj që IKSHPK ka pas edhe mbështetjen e Qeverisë dhe të popullit dhe ai përkushtim besoj ka qenë i madh. Do t’i vlerësoja disa veprime politike që janë bërë gabimisht. Ne jemi larg nga ndonjë marrëveshje të tipit çfarë është vepruar me këto ndihmat, apo tamponët që ka bërë Serbia. Me Kushtetutën e Kosovës ata kanë të drejtë që të ndihmojnë komunat me shumicë serbe, është e rregulluar edhe me ligj. Por mendoj që kushtet kur ne jemi të përplasur, nuk do të pranoja ndihma nga Serbia”, ka thënë Haliti.

Sipas tij, Kosova nuk është dashur të pranonte ndihma për shkak të pretendimeve të Serbisë. Ai ka deklaruar se është dashur që Kosova të lejonte ndihmën vetëm nëse do të konstatohej se s’ka arritur të menaxhojë situatën në komuna të caktuara.

“Nuk dua prej teje të marr ndihma sepse dëshiron të kthesh pozicionin në Kosovë. Ti po thua se nuk e njeh Kosovën e po e nxjerr Kosovën thuajse ka qenë okupatore e jo Serbia, thuajse Kosova ka bërë luftë në Serbi e jo Serbia në Kosovë. Ne jemi çliruar nga ta e ata akoma kanë pretendime. Përderisa jam pro marrëveshjes me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve, besoj se në këtë rast është dashur të mbahej qëndrim për të cilin nuk ka nevojë të flasim fare sepse dihet çfarë duhet të ishte. Unë do të thosha që ata të përcaktoheshin cilën komunë duan ta ndihmojnë, nëse konstatohet se Kosova nuk ka arritur të ndihmojë”, ka thënë tutje Haliti.

Sipas tij, ndihma ka qenë në vlerë të vogël dhe nuk është dashur të pranohej pasi “edhe një biznesmen i vogël do të mund të realizonte atë e s’do të kishte nevojë të polarizohej aq shumë”.