Arbëri

Hoti: Me votimin e Qeverisë së re merr fund qeverisja arbitrare

I mandatuari i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se me votimin e Qeverisë së re në vend “do të marrë fund qeverisja arbitrare”.

Në 100-ditëshin e Qeverisë Kurti, ku Hoti ishte zëvendëskryeministër, i mandatuari i LDK-së për kryeministër ka thënë se sot ministrat që vinin nga LDK-ja nuk lejuan “cenim të integritetit personal dhe institucional”.

“Ministrat nga LDK-ja, gjatë kësaj periudhe të qeverisë në detyrë, e kanë bërë punën në resorët e tyre në përputhje me obligimet ligjore që kanë pasur. Sot, në Mbledhje të Qeverise në detyrë, ata treguan se LDK-ja ka tjetër kulturë të qeverisjes – që është respektimi i institucionit dhe i shtetit të Kosovës, por edhe moslejimi i cenimit të integritetit personal dhe institucional. Në Qeverinë e re do të promovojmë kulturë institucionale sipas standardeve evropiane. Me votimin e Qeverisë së re, do të marrë fund qeverisja arbitrare, e mbështetur nga struktura jashtë politike e militante, që ka vënë institucionet e shtetit në funksion të partisë, që e ka polarizuar shoqërinë dhe ka dëmtuar partneritetet ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi sot se mocioni ndaj qeverisë së tij u ngrit nga “regjimi i vjetër”. Ndaj këtij qëndrimi reaguan ministrat në detyrë, që vinin nga radhët e LDK-së.

Dekreti i presidentit Hashim Thaçi për Hotin kryeministër është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese pas një ankese nga Lëvizja Vetëvendosje. Partitë janë në pritje të vendimit të Kushtetueses nëse Thaçi ka të drejtë të mandatojë partinë e dytë për të formuar Qeverinë, pas mocionit për rrëzim të Qeverisë Kurti.