Arbëri

LDK-ja e quan tendencë për kapje të shtetit “provën për protestë”

Descriptive Text

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur provën e djeshme për protesta të organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, si presion mbi gjykatat dhe demonstrim i tendencës për kapjen e shtetit.

LDK-ja përmes një komunikatë, “protestuesve” u është referuar si militantë të një partie, ndërkohë ka akuzuar Qeverinë, Policinë dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti për heshtje të martën.

VV-ja, të cilës i referohet LDK-ja, nuk ka njoftuar se qëndron pas kësaj prove për protestë, por as nuk ka reaguar, ndërkohë që ajo është postuar në grupin #me Kryeministrin në Facebook.

Sot ndërkohë kanë reaguar Policia dhe Ahmeti.

“Në ditët kur beteja me COVID-19 u sfidua me rritje të ndjeshme të numrit të të prekurve dhe kur institucionet paralajmërojnë se mund të shtyhet lehtësimi i masave kufizuese, në sheshin kryesor të Prishtinës, të rrethuar me shirita policor, që janë vendosur për të mos lejuar lëvizjen e qytetarëve, Qeveria e shkarkuar e Kosovës, Policia e Kosovës, si dhe Komuna e Prishtinës, lejuan një manovrim skandaloz të një partie politike. Kjo provë e protestës së rreth 500 militantëve partiakë, të fshehur prapa organizatave të shoqërisë civile, përveç se është tregues i qartë i ndërhyrjes dhe presionit mbi gjykatat e pavarura të vendit, është demonstrim real i tendencës për kapjen e re të shtetit dhe të organeve kushtetuese të vendit”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja thotë se në tubimin e djeshëm ishin 500 veta. Po ashtu, kjo parti kërkon që ky tubim të hetohet në mënyrë të pavarur.

“Qeveria në ikje, nga dje ka zgjedhur ikjen nga përgjegjësia. Nga dje, interesat partiake, ajo i ka vendosur mbi interesin e shëndetit publik, në të cilin është thirrur shumë kohëve të fundit. Qeveria në ikje, me vetëdije të plotë, dje ka shkelur masat të cilat vet i ka vendosur, sikur që për qëllime të veta shkeli dy herë Kushtetutën e vendit, si dhe me vetëdije të plotë anashkaloi Kuvendin e Kosovës. Rasti i tubimit masiv, nuk duhet të heshtet, andaj LDK kërkon hetim të pavarur e të drejtë, në mënyrë që përgjegjësit duhet të vihen para përgjegjësisë. Kosova duhet të udhëhiqet bazuar në normën e vet kushtetuese. Pavarësisht kërcënimeve për destabilizim të një partie politike, e cila edhe ashtu s’ka bërë ndonjë gjë tjetër për Kosovën”, thuhet tutje në komunikatë.

LDK-ja ishte pjesë e Qeverisë Kurti, por inicioi mocion mosbesimi në Kuvend.

LDK-ja po mëton të formojë vetë Qeverinë.