Arbëri

Osmani: Pandemia nuk ndryshoi qasjen tonë për arsim gjithpërfshirës

Gjatë ditës së sotme janë takuar kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani bashkë me ministren e Arsimit, Hykmete Bajrami.

Osmani, përmes një postimi në Facebook, e ka përgëzuar ministren në detyrën Bajrami për punën e bërë gjatë kësaj kohe pandemie në fushën e arsimit.

“Sot, me ministren e Arsimit, znj. Hykmete Bajrami, diskutuam për procesin e organizimit të mësimit online, një proces mjaft sfidues për MASHT-in, por edhe një dëshmi e ushtrimit të përgjegjësive institucionale për të ushtruar një të drejtë themelore, atë të qasjes në arsim. E falënderova ministren Bajrami për menaxhimin e mirë të këtij procesi nga ana e MASHTI-t dhe, nëpërmjet saj, edhe gjithë stafin e Ministrisë, e në veçanti mësuesit dhe arsimtarët që po bëjnë punë të shkëlqyer, pavarësisht vështirësive dhe ballafaqimit me rreziqet nga pandemia”, shkruan Osmani.

Osmani, tutje shkruan se është e lumtur që ky mësim po organizohet edhe për komunitet joshumicë.

“Sot, gjatë ditës do ta vizitoj shkollën "Emin Duraku", në Prizren, për t'u bindur me cilësinë e organizimit të mësimit online për ta”, shkruan ajo.

“Pandemia ka ndikuar që ne t'i rivlerësojmë objektivat për arsimin, por nuk e ka ndryshuar qasjen tonë për arsim gjithpërfshirës dhe ngritje të cilësisë. Si Kuvend i Republikës ne do të jemi përkrah të gjithë atyre që e kuptojnë peshën e arsimit dhe rëndësinë e investimit në të”, shkruan tutje Osmani.