Arbëri

Surroi flet për librin e vet më të ri “Gorillat që s’i pamë”

Shteti po prishet prej kapësve që e kanë në dorë nga çlirimi e tutje. E në ndërkohë po negociohet me Serbinë për targat përderisa Serbia ende e konsideron Kosovën si regjion të vetin dhe konflikt të papërfunduar.

Këto dhe fenomene tjera të cilat përkojnë me gjendjen në të cilën ndodhet shoqëria si pasojë e rrethanave politike janë të shkruara në librin “Gorillat që s’i pamë” nga shkrimtari e publicisti Veton Surroi

Surroi në Rubikon të KTV-së theksoi se po sa po shkatërrohet vendi nga kapësit, njëjtë po shkatërrohet edhe nga vetë shoqëria e cila po vazhdon ta toleroj.

“Po e prish një grup i kapësve të shtetit të cilët e kanë marrë në dorë që nga çlirimi e tutje, për cka të gjithë ne të tjerët menduam se po e ndërtojmë shtetin dhe po e normalizojmë., po aq sa po e prishin ata, po e prishim edhe na duke e toleruar”, ka thënë ai.

E Kosova sipas Surroit po vazhdon të negocioj me Serbinë përderisa ky i fundit ende e konsideron pjesë të vetën.

“Sot jemi në vitin 2017 edhe 18 vjet pas luftës ne bisedojmë me Serbinë por nuk bisedojmë për çështjen themelore. Ne kemi problem themelor me Serbinë luftën, okupimin i cili ndodhej para luftës dhe faktin që Serbia ende këtë regjion e konsideron të vetin, gjegjësisht si regjion dhe rrjedhimisht si konfliktit të papërfunduar”, ka thënë ai.

E përderisa është një gjendje e tillë thotë Surroi, Kosova vazhdon të bisedojë me Serbinë për targa.

“Kemi toleruar një Serbi e cila jo vetëm që nuk e vajton humbjen por e rigjeneron atë, e rigjeneron politikën e Millosheviqit, kemi toleruar që Serbia e Millosheviqit, njerëzit që përfaqësojnë Serbinë e Millosheviqit, ideologjia e Serbisë madhe e cila ka vrarë njerëz këtu ne Kosovë, pra me atë Serbi të bisedojmë pa e trajtuar çështjen e luftës dhe rrjedhimisht ju kemi dhënë fuqi rikthimit të Millosheviqit në Serbi dhe Kosovë”, ka thënë Surroi.

Surroi theksoi se nuk është çështja veç e të zhdukurve porse kush i bëri ata të zhdukur.

Zgjidhja e një procesi të prirë nga Hashim Thaçi, i cili sipas Surroi e futi vendin në një udhë qorre, është krijimi i konsensusit brenda Kosovës.

“Kushdo që të formojë qeveri në Kosovë në ardhmëri duhet të zotohet që do të merren vesh me partitë që do të mbesin në opozitë”, ka thënë Surroi.