Arbëri

Bislimi: Isa Mustafa uli papunësinë duke përzënë njerëz në lumin Tisa

Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, në Interaktiv të KTV-së ka hedhur akuza të rënda në drejtim të ish-kryeministrit Isa Mustafa, deri tash partner i Lëvizjes Vetëvendosje në qeveri. Sipas tij, përderisa qeveria aktuale ka ulur papunësinë duke ulur informalitetin, Mustafa më 2015 kishte ulur papunësinë duke përzënë popullin.

Gjatë sqarimit të deklarimit për ulje të papunësisë në kohë pandemie, Bislimi ka akuzuar Mustafën se kishte përzënë popullin drejt lumit Tisa, që shërbente si rrugë ilegale për ikje nga Kosova drejt vendeve të Evropës. Pikërisht në këtë lumë, gjatë ikjes nga Kosova, 15 kosovarë kishin gjetur vdekjen. Më 2009, 15 kosovarët kishin vdekur teksa kalonin kufirin serbo-hungarez në përpjekje për migrim drejt Evropës.

“Gjithkund në botë matet papunësia me të njëjtën formulë. Ajo që ka ndodhur në muajin mars është se kemi 11 mijë e 200 të punësuar të regjistruar për herë të parë e janë pajisur me kontrata njëvjeçare. Me automatizëm klasifikohen në listën e të punësuarve. Nëse kanë qenë në listën e të papunëve, ajo ulet automatikisht. Ne s’kemi thënë se kemi ulur papunësinë. Ajo bie në tri forma: Duke hapur vende pune; Duke e përzënë popullin në Tisë siç e ka ulur papunësinë Isa Mustafa në vitin 2015, pra duke e zhvendos popullsinë dhe duke formalizuar ekonominë”, ka deklaruar Bislimi mes tjerash në Interaktiv të enjten.

Duke folur për çështjen e papunësisë, Bislimi po ashtu deklaroi se në Kosovë deri tash në periudhën e pandemisë janë regjistruar 11200 punëtorë që s’kanë qenë të regjistruar më herët si të punësuar, ndërsa 1300 janë lajmëruar që kanë mbetur pa punë.