Arbëri

Rruga ballkanike edhe më tej “lojë e jetës dhe vdekjes”

Që nga fillimi i këtij viti e deri më tash, në Kosovë kanë hyrë rreth 670 migrantë, të cilët janë paraqitur si azilkërkues te autoritetet vendore, por aktualisht më pak se një e treta e këtij numri janë akomoduar si azilkërkues në Kosovë, konfirmojnë autoritetet vendore, kompetente për strehimin e migrantëve azilkërkues.

Sipas tyre, rreth dy të tretat e këtij numri, para se pandemia e koronavirusit ta përfshijë Kosovën, e kanë shfrytëzuar territorin e saj vetëm si vend transit në rrugën e tyre drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

Migrantët që kanë kërkuar azil në Kosovë, janë vendosur në Qendrën për Azil, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Në fillimin e javës së dytë të muajit prill, përderisa vendi gjendej nën masat e marra nga institucionet shëndetësore dhe qeveritare për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit, autoritetet e vendit kanë konfirmuar se në Kosovë kanë hyrë në mënyrë jolegale 31 persona, të cilët janë vendosur fillimisht në karantinë, nën dyshimet se mund të jenë të infektuar me koronavirus.

Drejtori i Qendrës për Azil në fshatin Magurë të Lipjanit dhe objekteve të saj përcjellëse në fshatin Vranidoll të Prishtinës, Fitim Zariqi, thotë për Radion Evropa e Lirë që aktualisht në këtë qendër janë të vendosur rreth 200 azilkërkues. Disa prej tyre, sipas tij janë të vendosur edhe në objektet e kësaj qendre në lagjen Taukbahçe në Prishtinë.

“I kemi furnizuar me dorëza, me maska. Ekipet mjekësore i kanë kontrolluar në vazhdimësi, në aspektin e koronavirusit dhe deri më tani nuk ka rezultuar asnjë pozitiv. Pra, të gjithë kanë rezultuar negativ. Gjithashtu, Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë një vendim dhe ka caktuar një karantinë për të gjithë migrantët e rinj që vijnë në Kosovë. Pra, paraprakisht, ata duhet të akomodohen në karantinë, që t’i kalojnë aty 14 ditë, t’iu bëhen testet dhe pas kësaj procedure, në rast se kërkojnë azil, atëherë akomodohen në objektet e Qendrës për Azil”, ka thënë Zariqi.

Ai ka shtuar se të gjithë azilkërkuesve, përveç akomodimit dhe ushqimit, u janë siguruar falas edhe veshëmbathjet, pakot higjienike, mjekimi dhe medikamentet.

Autoritetet e Kosovës, më herët kanë theksuar se numri më i madh i migrantëve që kanë kërkuar azil në Kosovë, vijnë nga Siria, rreth 60 për qind e tyre, por edhe shtetas të tjerë nga Algjeria, Maroku, Autoriteti Palestinez, Iraku, Irani dhe vende të tjera.

Siç është thënë nga ta, kushtet në qendrat e azilkërkuesve në Kosovë janë të mira dhe azilkërkuesit trajtohen mirë. Madje edhe gjatë pandemisë së koronaviruasit, ata nuk janë mbyllur tërësisht në objektet ku janë vendosur.

Megjithatë, Zariqi ka theksuar që Ministria e Brendshme ka aplikuar edhe për azilkërkuesit të gjitha masat në fuqi të marra nga Ministria e Shëndetësisë që ndërlidhen me luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

“Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ne i kemi përkthyer në gjuhën arabe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), por edhe vendimet e qeverisë dhe të ministrisë. I kemi afishuar ato në vende të dukshme dhe ata kanë të drejtë që të dalin sipas numrit të parafundit të letërnjoftimit të azilkërkuesit. U kemi thënë që duhet t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHP-së dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, që duhet ta mbajnë distancën, duhet t’i mbajnë maskat dhe dorëzat. Dezinfektues u kemi dhënë në vazhdimësi dhe çdo gjë është nën kontroll”, theksoi Zariqi.

Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se migrantët që hyjnë në Kosovë, janë duke e shfrytëzuar atë që quhet rruga e Ballkanit Perëndimor. Ata hyjnë përmes Greqisë në Shqipëri, për të vazhduar pastaj në Kosovë. Shumica e tyre më pas udhëtojnë drejt Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, drejt kufijve të vendeve që tashmë janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Por, qëndrimi në këto vende, që janë në kufij me vendet e Bashkimit Evropian, si dhe e ashtuquajtura “Rruga Ballkanike”, ka shënuar vështirësi shtesë për migrantët që synojnë vendet e Evropës Perëndimore, sidomos në kohën kur bota po përballet me pandeminë e koronavirusit.

“Na trajtojnë si të burgosur”

“Ushtria është çdokund rreth kampit dhe po na trajtojnë si të burgosur. Në kamp nuk ka ujë të ngrohtë dhe sapun. Nuk e di se pse nuk mund të dalim jashtë”, kanë thënë në një video-adresim të tyre Mahdi dhe Ehsan, të cilët në gjashtë muajt e fundit janë duke qëndruar në Serbi. Që nga 15 marsi, kur është vendosur gjendja e jashtëzakonshme në këtë vend, ata nuk kanë dalë nga kampi i pritjes.

Video-porosia e tyre është shfaqur në seminarin “online”, të quajtur “Ndikimi i Covid-19 në rrugën Ballkanike”, i cili u organizua nga aktivistët humanitarë ndërkombëtarë, të mbledhur rreth “No name kitchen”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në REL