Arbëri

Përkrahet iniciativa për komision hetimor për vdekjen tragjike të 26-vjeçarit në karantinë

Pas vdekjes së 26-vjeçarit sa ishte i karantinuar në konvikte, Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut është mbledhur për të diskutuar për rastin.

Nga këtu, partitë opozitare kërkuan dorëheqjen e krerëve të institucioneve.

“Ajo që më së paku është dashur të ndodhë ka qenë dorëheqja, aty për aty, e Ministrit të Shëndetësisë, e pse jo edhe e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe kryeministrit”, ka thënë Teuta Haxhiu e AAK-së.

Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të insistojë se për zbardhjen e vdekjes së Agon Musliut, duhet të formohet një komision hetimor parlamentar, raporton KOHA.

“Edhe sot u përmend që dje PDK-ja e ka shprehur kërkesën për inicimin e komisionit të posaçëm hetimor dhe ne si komision, të gjithë, e kemi mbështetur”, ka thënë Valdete Idrizi nga PDK-ja.

“Ende nuk ka ardhur zyrtarisht kjo nismë, por ne patjetër që jemi për çdo komision që e zbardh rastin”, ka thënë Saranda Bogujevci nga LVV-ja.

Agon Musliu nga Komuna e Gjilanit dyshohet se u vetëvra duke u hedhur nga konvikti në Prishtinë, ku po qëndronte i karantinuar pas kthimit nga Gjermania.