Arbëri

Pacolli: Synojmë formimin e tregut mbarëshqiptar

Aleanca Kosova e Re (AKR) të martën mbajti një takim me qytetarë dhe struktura të partisë në Deçan, gjatë të cilit është prezantuar programi i kësaj partie.

Kryetari AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se më 11 qershor është obligim jetësor i secilit qytetar që të votojë për subjektin që e konsideron të duhur, dhe se AKR do të ketë mirëqenien e qytetarëve prioritet kryesor, transmeton kp.

"Synimi ynë është mirëqenia e qytetarëve. Është trajtimi në mënyrë dinjitoze i qytetarëve. Të punojmë ta kryejmë punën tonë me moral të lartë dhe të punojmë në funksionim të ligjit. Me programet tona ne do të arrijmë rritje ekonomike 8 për qind që do të thotë rreth 60-70mijë të punësuar", tha Pacolli.

Ai u shpreh se kanë për synim formimin e tregut mbarë-shqiptar.

“Në këtë qeverisje bashkë me partnerin tonë LDK-në, kemi paraparë edhe rregullime të marrëdhënieve tatimore”, u shpreh kreu i AKR-së.

Ai për këtë çështje tha se duhet të rregullohet politika ekonomike për importin dhe eksportin, për të liruar veprimtarinë ekonomike vendore në Kosovë nga disa tatime, që sipas tij, nuk kanë kuptim.

Funksionimi i Trepçës, implementimi i PPP-ve si dhe shndërrimi i Agjensionit të Participimit, Pacolli tha se janë ndër pikat kyçe të programit që ata kanë hartuar.

“Ne besojmë shumë te realiteti për të punuar. Nëse arrijmë që investitorëve t'iu ofrojmë siguri dhe ambient të përshtatshëm pune ata do të vijnë dhe të sjellin potencialin e tyre në Kosovë pasi që këtu e kanë fuqinë punëtore më të lirë”, tha ai.