Arbëri

Mushkolaj: Politika po vazhdon të bëjë fushatë mbi kufoma

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë në Interaktiv të KTV-së se politika po vazhdon të bëjë "fushatë mbi kufoma”, duke iu referuar vdekjes tragjike të 26-vjeçarit, të dielen, në Qendrën Studentore.

“Gjatë gjithë ditës pamë debate mes partive, në përpjekje për t’i drejtuar gishtin njëri-tjetrit”, ka thënë Mushkolaj.

Lidhur me kërkesën për dorëheqje të ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, ai ka thënë se fjalën e vet duhet ta thonë së pari organet përkatëse.

“Pra të shihen rrethanat që sollën këtë rast tragjik. Kosova shquhet për mosndëshkueshmëri, që është një krim i dytë në rrethanat e tilla”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse Vitia ndjehet përgjegjës në bazë të hierarkisë, “atëherë duhet të ndërmarrë veprimin e duhur, pra edhe të japë dorëheqje”.

Ai megjithatë ka theksuar që fillimisht duhet pritur që organet përkatëse ta thonë fjalën e vet.

Mushkolaj e ka përmendur në vazhdim mosbesimin ndaj institucioneve.

“E shto kësaj situatën në të cilën gjendemi, ku militantizmi është duke vluar, kjo situatë bëhet edhe më e vështirë”, ka thënë ai.

Mushkolaj ka vazhduar se marrë parasysh rastin, duhet zhvilluar hetime më të detajuara e më të gjithanshme.

“Një hetim i gjithanshëm besoj që do të jepte përgjigje në këtë situatë, ani pse përgjigja do të ishte e pamjaftueshme, marrë parasysh mosbesimin ndaj institucioneve”, ka thënë ai.

Mushkolaj në Interaktiv i ka komentuar edhe paralelet që janë tërhequr mes rastit 26-vjeçarit dhe atij të Astrit Deharit, për të cilin rast ministrja e atëhershme, Dhurata Hoxha, nuk kishte dhënë dorëheqje.

“Për këtë ishin organizuar një varg protestash, por nuk patëm parë dorëheqje”, ka thënë Mushkolaj, duke shtuar se dorëheqja e vetme në këtë drejtim kishte qenë ajo e Fatmir Rexhepi.

“Në Kosovë nuk është njihet shumë veprimet e dorëheqjes nga politikanët”, ka thënë ai, duke shtuar se partitë në vend se të bëjnë garë me ide, bëjnë gara më të tilla raste.

Sa i përket kritereve për karantinim, Mushkolaj konsideron që me rëndësi është të mos ketë çasje diskriminuese dhe favorizuese.

“Duhet pasur parasysh se është situatë e re, mirëpo rastet e tilla duhet t’i zgjojnë politikanët nga gjumi për të parë se si duhet vepruar”, ka thënë ai.