Arbëri

MAPL-ja paguan pa kritere projekte kapitale në vlerë afro 600 mijë euro për komunat serbe

Ndonëse Ligji mbi ndarjet buxhetore i Republikës së Kosovës për vitin 2019 parasheh se “për çdo financim ose bashkëfinancim të projekteve në nivel lokal mbi financimin e rregullt komunal, organizatat buxhetore qendrore duhet të zbatojnë kritere specifike, të qarta, të drejta dhe transparente, kjo nuk ishte respektuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). Kjo ministri, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, kishte bërë ndarje buxhetore në vlerë prej 596 mijë e 225 eurosh për projekte kapitale pa përcaktuar kritere dhe vetëm me vendime të “ministres”.

“Përveç kritereve të caktuara nga MAPL-ja për ndarjen e mjeteve për komuna nga granti i performancës dhe kriteret e caktuara në thirrjen publike për fondet e bashkëpunimit ndërkomunal, MAPL-ja kishte bërë ndarjen e mjeteve financiare të tjera për financimin e projekteve kapitale të komunave, vetëm përmes vendimeve të ministres pa caktuar ndonjë kriter. Përmes këtyre vendimeve ishin financuar 16 projekte të komunave kryesisht serbe në vlerë 596 mijë e 225 euro”, thuhet në raport. Këto financime, sipas raportit, Ministria i kishte arsyetuar me faktin se këto komuna nuk kishin përfituar nga dy skemat e para dhe qëllimi i Ministrisë ishte që të gjitha komunat të përkraheshin financiarisht nga MAPL-ja, transmeton KOHA.

Sipas ZKA-së, ndarja e mjeteve financiare për komunat pa zbatuar kritere të qarta, specifike dhe transparente ndikon në trajtimin dhe financimin jo të drejtë dhe të barabartë të komunave. Auditori ka rekomanduar që ministri të sigurojë se para financimit të të gjitha projekteve kapitale të komunave do të caktohen kritere specifike, të qarta, të drejta dhe transparente siç parashihet me Ligjin për ndarjet buxhetore.

ZKA-ja nuk ka cekur emra të ministrave që kanë nënshkruar projekte të tilla, ndërkohë që ministrja aktuale, Emilia Rexhepi, thuhet se është pajtuar me gjetjet e Raportit dhe se është zotuar për zbatim të rekomandimeve. Gjatë vitit 2019 MAPL-ja është udhëhequr nga Ivan Teodosijeviq, i cili u pati shkarkuar dhe në prill të po këtij viti udhëheqjen e kësaj ministrie e pati marrë Adriana Hoxhiq, e cila ka mbajtur këtë pozitë deri në zgjedhjen e Qeverisë aktuale.

Auditori gjithashtu ka gjetur se MAPL-ja vitin që shkoi ia ka ndarë kompanisë rajonale “KRU Mitrovica” 20 mijë euro për të paguar shpenzimet e energjisë elektrike. Këto mjete, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ishin ndarë pas një kërkese që kësaj ministrie ia kishte adresuar Komuna e Mitrovicës së Veriut. ZKA-ja në Raportin vjetor të auditimit për vitin e kaluar për këtë ministri ka vlerësuar gjithashtu se përveçqë ka qenë pagesë jashtë kompetencave, ajo është bërë edhe në kundërshtim me marrëveshjen për këtë pagesë.