Arbëri

Ahmeti e Haziri ftojnë të mos politizohet vdekja e 26-vjeçarit

Foto: Alban Bujari / KD

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai i Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë ftuar që të mos politizohet vdekja e 26-vjeçarit nga Gjilani në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Haziri ka folur për rastin në konferencën e përditshme që ka të bëjë me pandeminë, ndërkohë Ahmeti ka dal me një postim në Facebook.

“Ne do t’i qëndrojmë pranë familjes dhe nuk do të lejojmë të politizohet kjo ngjarje. Kërkojmë nga institucionet të zbardhin tërë rastin që çoi në vdekjen e tij”, ka thënë Haziri.

Studenti nga Gjilani është kthyer ditë më parë nga Gjermania dhe është vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve. Ai të dielën u hodh nga kati i pestë i konviktit dhe në QKUK, sipas mjekëve kujdestarë, është dërguar pa shenja jete.

Për ngjarjen tragjike kanë reaguar edhe partitë, duke i shtuar edhe më shumë zjarr skenës politike edhe ashtu të polarizuar.

“Aman, mos ndjellni edhe më shumë urrejtje e ndasi. Qëndroni familjes pranë sa më shumë. Kjo nuk është vetëvrasja e parë, por mundemi me punu me qenë e fundit në këtë pandemi. Depresioni është sëmundje me të cilin shumica prej nesh jemi ballafaqu. Prandaj edhe duhet të trajtohet e të ndihmohet çdo person që mund të shfaq simptome. Le të kërkohet hetim e përgjegjësi, por me këtë vrull të sulmeve po duket thua se kemi kërkuar që diçka të shkoj keq. Po shpresoj se e kuptojnë dyja palët që lufta e pakursyer politike në kohë pandemie mund të ketë pasoja të rënda. Ngushëllime familjes e shpresoj se e gjejnë forcën me përballu këtë humbje të madhe”, ka shkruar Ahmeti.