Arbëri

Shukrije Ramadani për ditëlindjen e Agimit: Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin

Heroi Agim Ramadani sot do të mbushte 57 vjeç, e me këtë rast bashkëshortja e tij Shukrije Ramadani përmes një postimi në Facecook ka shkruar se ideali i tij dhe bashkëluftëtarëve të tij është shkel e harruar si të zhdukurit e luftës.

Agim Ramadani kishte lindur më 3 maj 1963 në Zhegër, transmeton KOHA.

“Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë më anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra juaj”, shkruan ndër të tjera Shukrije Ramadani në këtë postim.

“Për ditëlindjen tënde si ta uroj ditëlindjen shpirti im?! Në lulen e rinisë me gjakun tënd lave ëndrrat tua për Shqipërinë e bashkuar. Shumë gjëra u bënë ndryshe që 21 vite të mungesës sate! Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë ma anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra e juaj. Po harrojnë se gjaku i derdhur ecë lirshëm damarëve të tokës së lashtë pellazge e cila nuk falet aq lehtë, se frymon dhembje, krenari e trimëri! Ti prekësh ata damarë e prek shpirtin e epokave të qëndresës”, shkruan ajo.

Ajo tutje shton se ndoshta më mirë që na u mbyllën rrugët kah ju, e “lulet u vyshkën në duar, se do të habiteshe me pamjen e përçudnuar të botës njerëzore që do të vizitonin”.

“Njerëz pa fytyra, veç me sy. Kishin ardhur aq shumë sy e ua kishim prishur qetësinë. Ti ke ditur t’i lexosh sytë e njerëzve, të zbulosh të fshehtat e tyre e thikat pas shpine që t’i ruanin. Po tash janë shumuar thikat shpirti jem, në çdo anë secili therë secilin, e fshehët pas maskave të liderëve”, shkruan Shukrije Ramadani. “Ideali u shkel e harru si të zhdukurit e luftës. Ëndrrat e bukura u shëmtuan e po shndërrohen në makthe të humburish që se gjejnë rrugën e dritës”.

“Assesi s’po e gjejmë kush është Diogjeni, kujt t’ia besojmë shpirtin kur dreqërit me rroba engjëjsh po vishen e mbi kokat tona daullet e patriotizmit i rrahin në emër të dheut e atdheut. Çdo herë jam lutur t’i çelësh sytë e të shikosh lirinë që me gjak e lave, sot shpresoj që nuk na sheh e na dëgjon! Pusho i qetë shpirti im, se t’i vetëm ditëlindje ke! Pusho, me bindjen se ngjyrat e lirisë janë ashtu siç i ëndërrove e pikturove me dashurinë e përjetshme”, ka shkruar ajo.

Image