Arbëri

Haradinaj: AAK-ja për 20 vjet ka mbrojtur interesat e vendit, respektojmë vendimin e Kushtetueses

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në 20-vjetorin e themelimit të partisë ka thënë se partia e tij ka qenë pjesëmarrësve në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova.

Sipas tij, Aleanca ka qëndruar e fuqishme në mbrojtjen e interesave të vendit.

Haradinaj ka thënë se në dy mandate sa ka udhëhequr kjo parti me Qeverinë, ka arritur rezultate të cilat kanë fuqizuar shtetin.

“AAK-ja sot i ka mbushur 20 vjet. Qindra mijëra aktivistë e kanë bërë Aleancën pjesë të historisë së politikës së Kosovës. E sfiduar që prej themelimit të saj, Aleanca ka qenë pjesëmarrëse në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova. E shquar për konsistencën e saj, AAK ka qëndruar e fuqishme në mbrojtjen e interesave të vendit. Në dy mandate ka udhëhequr me qeverinë e vendit. Në mandatin e parë është krijuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë. Po ashtu në vitin 2004 ka vendosur themelet e pavarësisë së Kosovës. Gjatë qeverisjes së mandatit të fundit qeveria nën drejtimin e Aleancës ka bërë të mundur krijimin e ushtrisë, realizimin e të drejtës pronësore të Trepçës, pavarësimin energjetik, rikthimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, ndaljen e skenarëve për prekjen e kufijve”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e pezullimit të kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka thënë se subjekti i tij e respekton vendimin e Kushtetueses.

“Tani politika dhe të gjithë i obligohemi institucionet të gjyqësorit. Aleanca respekton vendimin e Kushtetueses dhe sillet në përputhje të plotë me këtë vendim. Ne respektojmë vendimin e saj”, ka thënë ai.