Arbëri

Azemi thotë se Qeveria Kurti s’i përmbushi premtimet për sektorin privat

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në Express Intervistën në Kohavision, sot në Ditën e Punëtorëve më 1 Maj, ka folur rreth sektorit privat në kohë pandemie, ankesave të punëtorëve e rreth kompensimit të pagave.

Azemi tha se edhe në kushte normale punëtorët e sektorit privat ishin në gjendje të rëndë. Kësisoj, ai ka kritikuar edhe Qeverinë Kurti për mosndihmë.

“Kemi shpresuar që disa gjëra elementare s’do t’i kemi në mungesë. Tash për tash, pas 13 marsit, punëtorëve privat iu shtua një tjetër pengesë, një pjesë e madhe mbetën pa punë”, u shpreh ai.

Se a do të kompensohen nga Pakoja Financiare punëtorët e sektorit privat, Azemi tha se kërkon barazi sa i përket një gjëje të tilla, dhe sipas tij, nuk dihet se a do të ndodh kjo.

“Kemi kërkuar ndryshim për sa i përket sektorit publik e privat por qeveria jonë ka bërë gabim. Punëtorët e sektorit privat, ata të pastrimit e ndërtimeve, teknik e të sigurimeve janë të parët në vijën e parë të frontit, bashkë me mjekët, e ata s’do të kenë stimulim shtesë pavarësisht se po punojnë”, tha ai.

Azemi tha se ka kërkuar që sektorit publik t’i ulet paga 50 për qind.

“Kemi punëtorët që janë duke na bërë presion neve. Në këtë kohë që do të ishte mirë të stimulohemi, ne po dëmtohemi”, u shpreh ai.

Azemi shtoi se punëtorët e sektorit privat “janë me pandemi gjithherë”.

Ka kritikuar edhe Qeverinë Kurti se nuk e ka ndihmuar sektorin privat. Ai tha se pavarësisht se ka premtuar rritjen e pagave në 350 euro, sipas tij, nuk ka pasur kurrfarë lëvizjeje.

“Në muaj marrin 100 euro, kjo është e rëndë. Ata janë në pandemi gjithherë. Sektori privat në një farë forme janë dorëzuar se do të marrin ndihmë nga qeveria. Qeveria e re, për punëtorët e sektorit privat ka bërë veç një gjë. Kurti ka premtuar se punëtorët e sektorit privat do ta kenë rrogën 350 euro, e besuam, por s’u bë as edhe një gjë e tillë. I jemi drejtuar edhe ministres Rozeta Hajdari, askush s’na ka ndihmuar. Asnjë lëvizje pozitive nuk e kemi nga qeveria, as të kaluarat as kjo”, u shpreh Azemi.

Kujtojmë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më herët kishte thënë se duhet ndihmuar biznesin vendas, në mënyrën që të rritet punësimi dhe të rritet edhe paga mesatare në sektorin privat.

“Është absurde që paga mesatare në sektorin publik është mbi 500 euro me një rrite prej mbi 100 euro në pesë vjetët e fundit, ndërkohë që kjo rritje nuk është as 15 euro në sektorin privat ku ju e dini që pagat mesatare ngelen diku rreth 350 euro”, ishte shprehur Kurti.

Azemi tha se “njerëzit të cilët kanë kaluar periudha qeveritare, e kanë premtuar shumë për sektorin privat, tash s’po ndihmojnë”.

Ai tha se prej vitit 2011 çdo qeveri e ka dënuar sektorin privat e e ka sanksionuar.

“Do të duhej të dënohej çdo kryeministër që premtoi e s’ndihmoi”, u shpreh ai.

Azemi ka shtuar se ka kompani private që i rrahin punëtorët.

“Të ngratit, për ta ndihmuar familjen duhet t’i mbyllin sytë”, u shpreh Azemi.