Arbëri

Konfirmimi i dy aktakuzave çon në nisjen e gjykimeve nga Specialja

Për më pak se 100 ditë janë dorëzuar dy aktakuza për krime lufte në Hagë ndaj ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmbyllja e hetimeve në dy raste penale ka ndodhur afro 5 vjet prej kur në Kuvend u votua pro themelimit të saj, transmeton KOHA.

Në shkurt të këtij viti ishte dorëzuar aktakuza e parë. Të martën përmes një komunikate për media, Dhomat e Specializuara kanë njoftuar edhe për një aktakuzë tjetër të Prokurorisë së Specializuar.

Avokati Arianit Koci, i cili ka udhëtuar disa herë në Hagë, në cilësinë e avokatit mbrojtës të dyshuarve, ka thënë se ngritja e kësaj aktakuze dëshmon për seriozitetin e punës së këtij institucioni.

Aktakuza, sipas komunikatës, do të mbetet konfidenciale deri të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Deri në konfirmim, maksimalisht mund të kalojnë 6 muaj.

Aktakuza konfirmohet nëse gjyqtari i procedurës paraprake vlerëson se është e mbështetur në prova dhe e njëjta procedohet tutje në gjykim para një trupi gjykues të Dhomave të Specializuara.

Vitin e kaluar më shumë se 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-komandantë e zyrtarë të lartë të shtetit, kanë dhënë dëshmi në Hagë qoftë si të dyshuar apo edhe dëshmitarë.