Arbëri

Haradinaj: Prioritet i Qeverisë së re duhet të jetë fuqizimi i partneritetit të dëmtuar me aleatët ndërkombëtarë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se prioritetet e Qeverisë së re duhet të jenë përballja me pandeminë, rimëkëmbja ekonomike dhe fuqizimi i partneritetit të dëmtuar me aleatët strategjikë.

Siç ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, këto komente i ka bërë sot në një takim pune me kryetarët e komunave të udhëhequra nga AAK-ja.

“Fokus i diskutimit ishte situata e krijuar nga pandemia Covid-19 dhe masat e ndërmarra nga Komunat në këtë kohë kritike. Poashtu, shqyrtuam prioritetet e AAK-së dhe përgjegjësitë tona në ndihmën për të tejkaluar krizën institucionale me Qeverinë e ardhshme. Aleanca konsideron se prioritet i Qeverisë së re duhet të jetë përballja me pasojat e pandemisë, rimëkëmbja ekonomike në vend dhe fuqizimi i partneritetit të dëmtuar me aleatët strategjikë të Kosovës”, ka thënë ai.

Dje Lidhja Demokratike e Kosovës ka kandiduar për kryeministër të Qeverisë së re, Avdullah Hotin. Pjesë e kësaj Qeverie pritet të jenë LDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe AKR, si dhe komunitetet jo shumicë, por jo edhe ata serb.