Arbëri

Tërnava uron besimtarët myslimanë në prag të Ramazanit

Foto: Driton Paçarada / Koha

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u është adresuar besimtarëve myslimanë dhe i ka uruar ata në prag të Muajit të Ramazanit që nis nesër.

Tërnava ka thënë se ky Ramazan nuk do të jetë si të tjerët për shkak të pandemisë që po kalon vendi dhe bota, por që mbetët i shenjtë për besimtarët myslimanë.

“Veprimi i parë për besimtarët mysliman se po nisim muajin e agjërimit është falja e namazit të teravive, e që fatkeqësisht sivjet jemi të privuar përkohësisht nga ky ibadet për ta kryer bashkërisht në xhamitë tona, për shkak të gjendjes së krijuar në botë e edhe në vendin tonë si pasojë e pandemisë globale nga virusi COVID-19. Këtë herë muajin e agjërimit po e nisim në rrethana të gjendjes emergjente nga masat e marra për parandalimin e pandemisë COVID-19. Xhamitë tona përkohësisht janë pa xhematin e tyre, në këtë gjendje është edhe Qabeja e bekuar, Xhamia e Pejgamberit në Medinë si dhe xhamitë tjera anë e këndë botës. Ramazanin po e nisim në këtë gjendje, me shpresë te i Madhit Zot se fundi i tij do na gjejë në gjendje normale, në xhamitë e shkollat tona si dhe në vendet tona të punës”, thuhet në letrën e Tërnavës.

Myftiu ka thënë se në këtë kohë, për t’u përballur suksesshëm me pandeminë duhet më shumë se kurrë bashkim dhe disiplinë.