Arbëri

Hajdari: Me marrëveshjen e re energjetike të hyrat vjetore deri në 9 milionë euro

Ministrja e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari, në “Interaktiv të KTV-së ka thënë se Kosova ka fituar pavarësinë energjetike me marrëveshjen e re të nënshkruar ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E.

“Dje ishte përmbyllja e votimit nga vendet që ishin anëtare të Grupi Regjional i Evropës Kontinentale dhe ishte arritja ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, që është fitore për energjinë e Kosovës. Tani do të kemi lidhje me interkoneksionin me Shqipërinë. Posaçërisht dua të falënderoj Gjermaninë, kurse kemi pasur edhe një bashkëpunim të afërt me KOSTT”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka treguar se edhe votat që ishin abstenim kishin rol shumë të rëndësishëm.

“Kishim tre shtete kundër, por shumica ishte pro, kurse disa abstenime ishin, e sikur ato të ishin kundër s’do të mund të kalonin. Këtu ndoshta është një luftë politike. Por, me bashkëpunimin e afërt me Apostolovën, e gjithashtu edhe SHBA-në, por ia arritëm falë këtij bashkëpunimi. Spanja, Bosnja dhe Sllovakia votuan kundër. Greqia ishte abstenim, po ashtu edhe Bullgaria, kurse 22 shtete të tjera kanë qenë pro.”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Kosova ka pasur humbje të mëdha, derisa thotë se tani përfitimet do të jenë deri në 9 milionë euro.

“Nga implementimi i kësaj marrëveshje që nis në fuqi më 15 maj. Të hyrat vjetore mesatarisht sillen nga 4-9 milionë euro”, ka thënë Hajdari. “Por, kemi pësuar edhe humbje të mëdha. Kostt nuk ka mundur të bëjë alokimin e kapaciteteve, kjo është bërë nga një kompani serbe, e cila ka fituar mbi 65 milionë euro. Këto të hyra ndryshojnë gjatë viteve. Kjo ka bërë që furnizuesit në Kosovë të paguajnë çmim më të lartë të energjisë”.

E vetëm nga viti 2017 Kosova kishte humbur rreth 33 milionë euro.

“Nga shkurti i vitit 2017 deri në ditët e sotme kemi rreth 33 milionë euro, e këto do të shmangen. Kjo i bie pavarësim i energjisë së Kosovës dhe lidhja me bllokun Kosovë-Shqipëri. Është një proces ndër vite, nga ekipa shumë profesionale nga KOSTT, por fatkeqësisht kjo ka pasur përkrahje ndërkombëtare, por jo edhe të politikës. Këtë ma kanë vërtetuar edhe gojarisht, duke më thënë se nuk kanë pasur përkrahje aq sa duhej”, ka thënë Hajdari.

Ajo thotë se më herët ka munguar dialogu me ambasadorët e huaj në Kosovë.

“Ambasadorët tanë në Kosovë, iu ka munguar ky bisedë. Ka munguar dialogu me ambasadorët, dhe sa më shumë që jemi gjithëpërfshirës jemi më të suksesshëm. Ne jemi përcaktuar te prioritetet që i kemi caktuar dhe premtimeve që u kemi dhënë qytetarëve.

E gjithashtu ajo thotë se së shpejti do të nisë edhe inkasimi për pjesën e veriut.

“Në veri, e dimë se KEDS ka një licencë për gjithë territorin e Kosovës. Jemi në një bashkëpunim edhe me ndërkombëtarët që të kemi një plan më dinamik që të zgjidhim çështjen e pagesave në veri. Njëra prej mundësive është që të bashkëpunojmë me ministrin e Pushtetit Lokal. Në komunat në veri duhet t’iu mundësojmë që të kenë postën deri në ora 22:00 dhe kjo do të ndihmojë në inkasimet për KEDS, mendoj se kjo është zgjidhja por vetëm duhet të ulemi me këtë plan konkret”, ka thënë Hajdari. “Ne duhet të shfrytëzojmë këtë momentum të mirë që kemi, dhe të ofrojmë në bashkëpunim më të afërm me Qeverinë e Kosovës. Ata s’është që nuk kanë paguar, por i kanë paguar dikujt tjetër”.