Arbëri

Mustafa në pritje të ftesës së Thaçit, komenton deklaratat për Osmanin

Isa Mustafa është në pritje të thirrjes së presidentit Hashim Thaçi për t’u takuar rreth çështjes së mandatarit për ta formuar Qeverinë e re.

Kreu i LDK-së që mëton të bëjë koalicion me AAK-në, Nismën dhe minoritetet, thotë se ende nuk kanë marrë ftesë nga presidenti.

Zyra e presidentit ka thënë shkurt se kurdo që të ketë një vendim nga presidenti do të njoftohet opinioni.

Presidenti Thaçi ka shkruar të dielën se gjatë kësaj jave do të marrë hapa kushtetues për krijimin e Qeverisë së re.

Ndërkohë, i pari i LDK-së ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që akuzoi Mustafën se po e përdor shkopin për ta sulmuar Vjosa Osmanin, raporton KOHA.

Sikur Vjosa Osmani edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, është kundër koalicionit të mundshëm të LDK-së me AAK-në, Nismën dhe minoritetet.

Megjithëkëtë, Abdixhiku ka thënë se i respekton vendimet e shumicës në parti.

Mëngjesin e së martës, selia e LDK-së mbeti pa qasje në internet dhe në kamera të sigurisë, ngase dikush ua këputi kabllot.

Sekretari organizativ i LDK-së thotë se nuk di se kujt po i pengon puna e kësaj partie, duke bërë veprime të tilla.

Për të rregulluar atë çfarë ndodhi, në ndërtesën e partisë u panë punonjës të angazhuar.