Arbëri

Serbia ka bllokuar transportuesit e mallrave nga Kosova, thotë Abdixhiku

Descriptive Text

Autoritetet serbe kanë bllokuar transportuesit e mallrave që vijnë nga Kosova, ka bërë të ditur të marten Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku.

Përmes postimi në Twitter, Abdixhiku e quan këtë veprim të paprecedent.

“Kjo paraqet shkelje jonjerëzore dhe flagrante të marrëveshjes rajonale për korridorë të gjelbër gjatë betejës me COVID-19, për të cilën gjë ishin marrë vesh të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, shkruan ai.

Burime të KOHËS thonë se kamionëve po ju kërkohet një leje e veçantë për ta kaluar kufirin.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar lidhur me bllokimin e zinxhirit furnizues nga ana e Serbisë. Ai ka thënë se s’ka asnjë arsye për bllokadë e ka shtuar se gjatë ditës ka biseduar me homologët nga Odat Ekonomike të rajonit, përfshirë edhe atë serbe, me të cilët ka thënë se janë pajtuar të mos ketë pengesa në qarkullim të mallrave.

“Qarkullimi i mallrave në rajon, sidomos në kohë të pandemisë, duhet të funksionojë në bazë të rregullave dhe praktikave, tashmë të miratuara nga CEFTA, të njohura si ‘Green Lanes’, apo korridore të lira, që mundësojnë arritjen e mallrave në destinacion, në një kohë optimale dhe barriera të pritjes në kufi. Gjatë ditës kam biseduar me homologët e mi nga Odat Ekonomike të Rajonit, përfshirë edhe Kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë. Me të gjithë jemi pajtuar që duhet angazhim nga të gjithë që të mos lejohet asnjë pengesë në qarkullimin e mallrave, që të mos rrezikohet në asnjë mënyrë zinxhiri furnizues. Presim që shumë shpejt do të lejohet edhe hyrja e kamionëve nga Kosova, të cilët janë bllokuar sot, në kufirin serb. Nuk ka asnjë arsye për asnjë bllokadë”, ka shkruar ai në Facebook.