Arbëri

Sejdiu: Deri tash, tetë mjekë të infektuar

Pleurat Sejdiu, pjesë e Odës së Mjekëve të Kosovës, ka bërë të ditur se aktualisht, tetë mjekë janë të infektuar me koronavirus në Kosovë. Në RAPORT të KTV-së ai po ashtu ka treguar se mbi tridhjetë mjekë janë në vetizolim.

“Deri më sot kemi tetë mjekë të infektuar, njëri në Infektivë në gjendje stabile. Ky nuk është numër i madh, por numër për t’u konsideruar”, ka thënë ai.

Sejdiu ka shtuar se mbi tridhjetë mjekë kanë qenë në vetizolim, që kanë dalur negativë.

Sa i përket vetizolimit të mjekëve në disa klinika tjera, që nuk janë në Infektivë, si në atë Abdominale, Sejdiu ka thënë se Kosova ka mjekë të zotë, të cilët në shumë raste vetorganizohen.

“Edhe tani jam shumë i sigurt që ditët e para më shumë janë organizuar vetë mjekët, sesa që janë organizuar nga dikush”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se mjekët, ashtu si edhe tërë shoqërinë, situata pandemike i ka zënë të papërgatitur. Por, ka vazhduar ai, ata gradualisht janë ambientuar me situatën.

“Çka është më e rëndësishme, qysh ne fillim, personeli shëndetësor është përgatitur psikikisht për një luftë më të gjatë. Kemi qenë të përgatitur dhe jemi për një luftë më të gjatë dhe përballje më të gjatë me këtë pandemi”, ka thënë ai.

Sa i përket mjekëve të infektuar, Sejdiu ka thënë se në vazhdimësi, përmes delegatëve, është në kontakt me institucionet, për shqetësimet e mjekëve, nevojat e tyre, të cilat përcillen në instancat e MSH-së.