Arbëri

Demi: Disonanca konjitive dërmuese për shëndetin, por Thaçi kështu mbijeton

Analisti Agron Demi ka komentuar deklaratën e fundit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për heqjen e reciprocitetit dhe emërimin e një Qeverie të re.

Ai ka thënë se disonanca konjitive është dërmuese për shëndetin e shumëkujt por jo edhe për presidentin, pasi që sipas tij, ai kështu mbijeton.

Përmes një postimi në Facebook, Demi ka thënë se “Thaçi përdorë dy kanale komunikimi. Twitter-in e përdorë për të lajmëruar heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, e Facebook-un e përdorë ashtu si PLAN-i për me kritiku 1000 donacionet për testet e Covid-19 nga Serbia”.

Sipas tij, “Thaçi mediave ndërkombëtare u thotë se, si një 'boshkobuhë', ai vetë ka qëndruar larg vijave të frontit, e në mediat vendore fyen si 'boshkobuhë' luftëtarët e vërtetë si Anton Quni”.

“Kur partia e tij është në pushtet Kushtetuta interpretohet si 'nuk ka qeveri pa fituesin e zgjedhjeve', kur është në opozitë qeveritë krijohen edhe duke anashkalu fituesin. Kur situata është e zakonshme ai kërkon shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme; e kur situata bahet e jashtëzakonshme, ai sillet zakonshëm, ngase dikush si ai në kriza funksionon më së miri. Në Kosovë i bën homazhe Rugovës, e në Vjenë, Paris e Londër e promovon biografinë e sponsorizuar nga ai ku Rugova etiketohet si alkoolist kronik. Për shumëkë kjo disonancë konjitive kish me qenë dërmuese për shëndetin, po jo për Presidentin, ai kështu mbijeton”, ka shkruar ai.