Arbëri

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Gjykatës Themelore në Prishtinë me GIZ–in

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi sot ka pritur në një takim udhëheqësin e Projektit për Reformën Ligjore dhe Administrative - GIZ, Peter Ertl me bashkëpunëtorë të tij, me ç’ rast kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi në mes Projektit Reforma Juridike dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, njofton kumtesa, transmeton Koha.net.

Ky memorandum ka për qëllim mbështetjen për zhvillimin dhe forcimin e gjyqësorit dhe administratës së saj si institucioni kryesor për trajnime, si dhe mbështetjen e Departamentit Administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të reduktuar numrin e lëndëve të pa proceduara dhe për të përmirësuar kushtet për procedurë më të shpejtë administrative.

Ky Memorandum Mirëkuptimi synon të mbështesë Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë duke dhënë një subvencion lokal në vlerë prej 9.000,00 Euro, shumë e cila jepet për punësimin e pesë (5) bashkëpunëtorëve profesional për një periudhë gjashtëmujore, e cila do të fillojë nga muaji qershor 2017.

Kryetarja e Gjykatës Themelore ka mirëpritur këtë donacion dhe ka falënderuar udhëheqësin e Projektit për Reformën Ligjore dhe Administrative- GIZ, për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë për Gjykatën.

Zyrtarët e projektit për më tepër kanë premtuar që do të vazhdojnë edhe me tutje për të bashkëpunuar dhe ndihmuar Gjykatën Themelore në Prishtinë.