Arbëri

Bordi i “Trepçës” emëron Hysen Vrajollin ushtrues detyre të kryeshefit

Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në “Trepçë” ka emëruar Hysen Vrajollin në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje. Kjo është bërë një ditë pas shkarkimit të Basri Ibrahimit nga pozita e kryeshefit.

Emërimin në pozitën e u.d. e ka konfirmuar edhe Vrajolli, i cili ka thënë se ka 36 vjet përvojë në miniera dhe se ka qenë drejtor i gati të gjitha minierave. Ai së fundmi ka qenë drejtor në Minierën e Artanës. Një ditë më parë minatorët e Minierës së Artanës kanë organizuar grevë. Ndërsa rreth 300 punëtorët e minierës së “Trepçës” në Stantërg nga e premtja kanë ndërprerë punën në kërkim të pagave. Ndërkohë, në Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike kanë thënë se të mërkurën janë njoftuar për shkarkimin e kryeshefit, Basri Ibrahimi.

Ajo ka reaguar për deklaratat e Ibrahimit se Ministria e ka porositur shkarkimin e tij dhe ka vonuar qëllimisht dhënien e subvencioneve që janë të ndara me Ligjin për buxhetin. Sipas MEPTINIS-it, deklarata e tij është e pavërtetë. Në reagimin e saj thuhet se Ministria e ka trajtuar ndërmarrjen “Trepça” SH.A me përparësi, duke e vënë para ndërmarrjeve të tjera publike, për shkak të ndjeshmërisë ndaj minatorëve.

“Para se të jepen subvencionet, ndërmarrja duhet t’ia paraqesë Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, pranë Ministrisë, të dhënat për projektet dhe operacionet, që do të mbështeten me subvencione. Ibrahimi i ka dorëzuar të dhënat me vonesë. Përkundër kësaj vonese, Njësia për NP ka finalizuar brenda ditës draftin e marrëveshjes për ‘Trepçën’”, thuhet në njoftim.

Sipas tij, ministrja Rozeta Hajdari e ka nënshkruar atë menjëherë dhe ka udhëzuar zyrtarët e Ministrisë t’i bartin mjetet në llogari të ndërmarrjes. “Mirëpo zyrtarët financiarë kanë hasur në pengesa shkaku i mangësive në dokumentacion”, thuhet në njoftimin për media.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore.