Arbëri

Vitia bën thirrje për respektim të masave: Rastet që vijnë në spital janë gjithnjë e më të rënda

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas vdekjes së dy personave të infektuar, ka kërkuar nga qytetarët t’i respektojnë masat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se rastet e infektimit që po paraqiten në spital, janë gjithnjë e më të rënda.

Vitia ka shtuar se parandalimi i përhapjes së tij duhet të bëhet me çdo kusht.

“Po e përcjellim me dhimbje të madhe, me ndjenjë të përgjegjësisë çdo shuarje jete në këtë kohë pandemie. Sot u larguan prej nesh edhe dy bashkëqytetarë në betejën kundër COVID-19. Në botë, për shkak të pandemisë po flitet për të prekurit dhe rastet e fatalitetit vetëm me shifra. Por njerëzit janë njerëz e jo shifra. Përndryshe asgjë nuk ka rëndësi nga kultura dhe shtetndërtimi afatgjatë. Ndaj dhe merren masa institucionale. Masat, edhe pse duken se janë strikte ato kanë vetëm një qëllim: mos ta lejojmë shndërrimin e njeriut në shifër. Ne jemi një vend e një Republikë. Këtu njerëzit janë të gjithë tanët”, ka shkruar ai.

Sipas tij, çdo disiplinim i veprimtarive ekonomike dhe shoqërore duhet ta marrë një vlerë, shpëtimin e jetës.

“Ky virus na i ka bërë një gjë të qartë: nuk duhet të hyjmë në ciklin e sëmundjes, nuk duhet të hyjmë në lojën e fatit mes shërimit dhe fatalitetit. Vëmendje: Rastet që po vijnë në spital janë gjithnjë e më të rënda. Ndaj duhet të mendojmë parandalimin me çdo kusht. Me çdo kusht”, ka shkruar ai.

Tutje Vitia ka thënë se afati i masave të marra është relative.

“Mes të qenit i shëndetshëm dhe të qenit i prekur ndarja është absolute. Afatgjatësia e masave tona është krejt relative. Jeta është absolute. Për jetën e secilit të punojmë të gjithë. Si Ministri e Shëndetësisë, si Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, dhe si personel shëndetësor, po përpiqemi me çka mundemi”, ka shkruar ai.