Arbëri

Tuzi-Nushi: Dhuna në familje ka shënuar rritje, një konvikt në Prishtinë është lëshuar për viktimat

Vlora Tuzi-Nushi, drejtoreshë e zyrës së UN Women në Kosovë ka thënë se dhuna në familje ka shënuar rritje.

Ajo në Express Intervista në KTV ka thënë se krahasuar me tre mujorin e vitit të kaluar, janë 93 raste më shumë.

Sipas saj, frika më e madhe është se gratë dhe vajzat nuk po e raportojnë për shkak se të njëjtat po mendojnë që Policia është e fokusuar në menaxhimin e situatës me COVID-19.

“Ne gjetëm përkrahje nga zyra e Kryeministrit, ministrja e Drejtësisë, kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ministri i Shëndetësisë. Ata të gjithë nga tash do të bëjnë videomesazhe përmes të cilave ofrojnë ndihmën e institucioneve”, ka thënë ajo.

Sipas tij, ky trend i rritjes së dhunës nuk është vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën.

Ajo ka thënë janë shumë faktorë që e kanë rritur stresin brenda familjeve.

“Ne jemi duke punuar që të përgatisim një kornizë të ndihmës pas COVID-it. Duke e ditur që ekonomitë edhe në Kosovë do t’i lë të shkatërruara, do të mundohemi që faza pas COVID-it të jetë më e lehtë. Gjithësisë në këtë fazë, izolimi e stresi janë faktorë që ndikojnë në rritjen e dhunës në familje. Strehimoret janë të pajisura me gjërat elementare që iu duhen, jemi duke i pajisur edhe me televizor për shkak se e dimë që gratë kanë edhe fëmijë”, ka thënë ajo.

Tuzi-Nushi ka thënë se një konvikt është ndarë për t’i pranuar rastet e dhunës në familje në këtë situatë emergjente.

Ajo tutje ka thënë se është formuar një databazë e integruar për dhunën në familje. Sipas saj, kjo databazë i ka të dhënat e selektuara sipas moshës e gjinisë, rajoni e të dhëna tjera.

Sipas saj, përmes databazës, Policia mund të gjurmojë për ndonjë rast se ku ka mbetur.

Ajo ka thënë se janë angazhuar që në barnatore e supermarkete të gjitha gratë të pajisen me numra ku mund ta raportojnë dhunën në familje.