Dorëheqje nga listat e kandidatëve ka bërë edhe një prej aleatëve të Lulzim Basha.
Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana, është tëhequr sot nga lista e PD në qarkun e Dibrës.
Ka qenë vetë Gjana i cili ka komunikuar vendimin, duke deklaruar se nuk pranon renditjen i katërti, nga gjashtë kandidatë, në listën e këtij qarku.
Ai s'kursen as kritikat në adresë të PD-së dhe kryetarit të saj, Basha, kur thotë se nuk duan përfshirjen e PLL-së në Kuvendin e ardhshëm.
Deklarata e plotë e Gjanës
“Të dashur miq,
Ju njoftoj se dje në mëngjes lajmërova Kryetarin e Partisë Demokratike z. Lulzim Basha se, nuk e pranoj renditjen e emërit tim në vendin e katërt të listës së PD në Qarkun e Dibres.
Këtë vendim e mora pasi të shtunën zhvilluam një mbledhje të kryesisë të PLL, pas shumë konsultimesh me miq e dashamirës të mi dhe të Legalitetit, por edhe pas një reflektimi të thellë mbi realitetin e ri që krijoi marrëveshja Basha-Rama dhe perspektiva e maxhorancës dhe opozitës së ardhshme.
Fakti që unë kam bindjen se pluralizmi politik në Shqipëri është në rrezik dhe se vlerat dhe kauzat e përqafuara dhe mishëruara prej dekadash nga PLL nuk mund të jenë objekt pazaresh meskine e të cilat nuk lejoj që të nëpërkëmben prej askujt, më përforcojnë qëndrimin tim se as Legaliteti dhe as unë nuk mund të shërbejmë si garniturë apo fasadë.
Për më tepër, renditja e kryetarit të PLL në pozicionin e katërt të listës së PD në Qarkun e Dibres, jo vetem që ështe e padenjë dhe fyese për mua personalisht dhe PLL, por është edhe një tregues i qartë se PD nuk e dëshiron prezencën e PLL në Parlament as zërin e shtresave që ne përfaqësojmë, dhe si rrjedhojë as edhe bashkëpunimin me ne.
Besoj se legalistët dhe simpatizantët e PLL do të kuptojnë siç duhet thelbin e vendimit tim që, në vazhdim, do të sqarohet më gjerësisht nga unë por edhe me një deklaratë politike të PLL”.
-
29 maj 2017 13:54
-
Shpërndaje në: