Arbëri

Në veri nis zbatimi i masave të reja të Qeverisë, Rakiqi jep sqarime

“Me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve, është e domosdoshme që të ndërmerren masa të reja”, ka deklaruar të mërkuren në konferencë shtypi kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, duke shtuar se masat për të katër komunat janë ndërmarrë me këshilla të ekspertëve.

Në pyetje janë masat e Qeverisë së Kosovës, të paralajmëruara të hënën mbrëma nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, të konfirmuara të marten mbrëmë nga Marko Gjuriqi, raporton Kossev, transmeton KOHA.

Nga mëngjesi i së mërkures, qytetarët në Kosovë mund të lëvizin jashtë shtëpive të tyre vetëm 90 minuta në ditë, sipas orarit të bazuar tek shifra e parafundit e numrit personal.

Orari do të ndryshojë për çdo javë, apo për çdo tri ditë, gjë që do të bëhet e ditur paraprakisht. “Qytetarët do të informohen rreth kësaj”, ka thënë Rakiq.

“Këto masa nuk janë të drejtuara kundër askujt, ato kanë rëndësi jetike për ne”, ka thënë Rakiq.

Para se t’i lexonte masat, Rakiqi i është falënderuar disa herë shtetit serb dhe presidentit të këtij shteti, Aleksandër Vuçiqit.

Në konferencën e shtypit, përveç Rakiqit ndodheshin edhe kryetarët e katër komunave të veriut.