Arbëri

Qalaj thotë se pesë zyrtarë policorë janë të infektuar me koronavirus

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj thotë se po operojnë njësoj në të gjithë Republikën e Kosovës gjatë menaxhimit të situatës me Covid-19.

Deri tash, sipas Qalajt, janë konfirmuar pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës të infektuar me koronavirusin Covid-19.

“Fatkeqësisht deri më tani i kemi pesë kolegë tanë të cilët janë prekur dhe kanë rezultuar pozitivë dhe janë duke u trajtuar nga institucionet tona shëndetësore”, tha Qalaj.

Qalaj thotë se mbi 8 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, me orar 12 orësh, janë të angazhuar në menaxhimin e situatës në aspektin e sigurisë, në parandalimin e lëvizjes së qytetarëve dhe aktiviteteve të tjera gjatë periudhës kur vendi po përballet me Covid-19.

Qalaj në një intervistë për KP, thotë se pjesëtarë e policisë po hasin në shumë raste kur qytetarët po i shkelin masat e vendosur nga niveli qendror dhe lokal, rreth kufizimit të lirisë së lëvizjes.

Vetëm brenda një nate, tha ai, mbi 100 persona shoqërohen në stacione policore, që sipas tij është numër mjaft i madh për situatën në të cilën ndodhet vendi.

“Në baza ditore, fatkeqësisht Policia e Kosovës duhet të shoqërojë deri në stacionet policore, të arrestojë një numër mjaft të madh të qytetarëve, konsideroj që qytetarët edhe pse në masë të madhe respektojnë të gjitha këshillat, ndalesat, kufizimet e lirisë së lëvizjes, mirëpo ekziston prapë një numër mjaft i madh i qytetarëve, të cilët fatkeqësisht nuk po i respektojnë këto, por Policia e Kosovës duhet t’i shoqërojë ata në stacionet policore, të hapë rast penal ndaj tyre, e në disa raste edhe t’i dërgojë në mbajtje”, thotë Qalaj.

Ai shton se vendet ku dërgohen këta persona, janë të sigurta sepse të gjitha hapësira janë të dezinfektuara. Ndërsa disa të tjerë janë dërguar në vetizolim për shkak të kontaktit që kanë pasur drejtpërdrejt me persona të prekur me Covid-19.

Qalaj gjithashtu thekson se pavarësisht që të gjitha forcat policore po punojnë në vazhdimësi, nga detyra janë liruar pjesëtarë që kanë sëmundje serioze dhe gra shtatzëna.

“Ajo çka ka nevojë është një disiplinë më e madhe, si drejtor i policisë, ne do të bëjmë të pamundurën që të angazhohemi edhe më shumë që të menaxhojmë situatën, çdo polic, çdo zyrtar i policisë do të jep maksimumin që të gjitha masat, të gjitha kufizimet, i gjithë bashkëpunimi me qytetarët të jetë sa më i mirë, mirëpo kërkojmë që qytetari pa dallim komuniteti, të gjithë të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë shtetin e tyre në menaxhimin e kësaj situate”, thotë drejtori i Policisë së Kosovës.