Arbëri

AAK-Nisma pa qëndrim zyrtar rreth koalicionit me LDK-në

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate nuk kanë ende një qëndrim zyrtar për koalicionin me LDK-në, pasi kjo e fundit po pret shterjen e rrugëve kushtetuese të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë si parti e parë.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se partia e tij momentalisht është e orientuar kah situata me pandeminë, duke shtuar se megjithatë do të shqyrtohet çfarëdo oferte që vjen prej tyre nga LDK-ja.

“Nuk kemi një qëndrim akoma jemi komplet të orientuar rreth situatës me pandeminë njëherë. Ajo që vjen do të shohim me kohë”, ka thënë ai për ksp.

Se nuk kanë marrë ende një ofertë konkrete nga LDK e thotë edhe shefi i grupit parlamentar i Nisma-AKR, Haxhi Shala.

Sipas tij, nuk ka një qëndrim zyrtar nga Nisma për mundësitë e një koalicioni të tillë.

“Nisma ende nuk ka një qëndrim zyrtar. Ende nuk kemi një ofertë konkrete nga Lidhja Demokratike”, thotë Shala.

Presidenti Hashim Thaçi i ka dërguar dy letra fitueses së zgjedhjeve të vitit të kaluar, Lëvizjes Vetëvendosje për të dërguar mandatarin tjetër pas rrëzimit të qeverisë Kurti.

Por kjo e fundit ende nuk e ka bërë këtë, derisa thonë se në momentin e duhur do t’i përgjigjen presidentit. Për këtë çështje, njohësit e kushtetutës janë shprehur se nuk ka një afat për dërgimin e mandatarit nga partia fituese tek presidenti.

Partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti pasi u votua mocioni i mosbesimit në Kuvendin e Kosovës, është duke kërkuar zgjedhje të reja të parakohshme. Ndërkohë partitë tjera, në krye me LDK-në, po insistojnë formimin e një qeverie pa zgjedhje të reja.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka konfirmuar se ka kërkuar nga Këshilli i Përgjithshëm aprovimin për një koalicion të mundshëm me AAK-në dhe Nisma-AKR-në. Por sipas tij, konkretizimi dhe bisedimet për një koalicion të tillë do të jenë pasi LVV-ja të shterrë gjitha mundësitë kushtetuese për formimin e qeverisë.

Ndaj kësaj deklarate, reagoi edhe zëvendëskryeministri në detyrë nga radhët e LVV-së, Haki Abazi, i cili tha se kjo është tradhëti e votës dhe vërtetim se Isa Mustafa dhe klani i tij synojnë të mbrojnë sistemin e PAN-it ku i kanë edhe vet njerëzit e tyre.