Arbëri

30 ditët e betejës së Kosovës me koronavirusin

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Sot është bërë 1 muaj që nga konfirmimi i dy rasteve të para me koronavirus në Kosovë.

Për një muaj në Kosovë, numri i të infektuarve ka arritur në 362, ndërkaq si pasojë kanë vdekur 7 persona e janë shëruar 59.

Aktualisht komuna më e prekur është ajo e Malishevës me 68 të infektuar, pastaj Ferizaj me 55 raste, ndonëse ky qytet rastin e parë e shënoi më 7 prill, ku një person 65 vjeçar ka vdekur e pas testimit ka rezultuar pozitiv me koronavirus. E njëjta komunë vetëm mbrëmë konfirmoi 35 raste të reja.

Pas Ferizajt, është Prishtina e cila ka 47 raste. Më 11 prill pas konfirmimit të 20 rasteve të reja, Prishtina hyri në karantinë, duke bllokuar kështu hyrjet e daljet, raporton KOHA.

Përveç Prishtinës, që nga 13 marsi, disa qytete e fshatra kanë hyrë në karantinë. Në karantinë janë edhe Ferizaj, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Klina, Mitrovica Veriore dhe Zveçani.

Gjatë kësaj kohe ka pasur edhe vendime të Qeverisë të cilat janë nxjerrë si masa mbrojtëse nga koronavirusi.

Po më 13 mars, Qeveria mori vendim për mbylljen e kufijve tokësor përveç për shtetasit kosovarë, ndërkaq nga 16 marsi u pezulluan të gjitha fluturimet.

Dy ditë para se të konfirmoheshin dy rastet e para, Qeveria mori vendim t’i mbyllte shkollat, me ç’rast më 23 mars filloi mësimi në distancë, njëherë për ciklin e ulët e pastaj edhe për atë të mesëm dhe universitar.

Më 23 mars në vend u shpall gjendje emergjente. Edhe pse pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit presidenti i vendit, Hashim Thaçi kërkoi nga Qeveria shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, një gjë e tillë u kundërshtua nga kjo e fundit, duke e quajtur të panevojshme.

Më 27 mars, Qeveria vendosi orarin e kufizimit të lëvizjes nga ora 17:00-06:00 në të gjitha komunat e Kosovës. Një vendim i tillë u dërgua për interpretim nga Gjykata Kushtetuese nga presidenti Hashim Thaçi, derisa pas shpalljes së tij, ai kërkoi nga qytetarët të mos e respektojnë.

Gjykata Kushtetuese më 31 prill hodhi poshtë vendimin e Qeverisë për kufizim të lëvizjes duke lënë afat deri më 13 prill për shfuqizimin e tij. Ndërkaq dje përmes një konference për media, kryeministri në detyrë, Albin Kuri dhe ministri i Shëndetësisë, njoftuan se tash e tutje vendimet sa i përket situatës me koronavirus do të merren nga Ministria e Shëndetësisë në pajtim me ministritë e linjës dhe komunat, ndërkaq orari i lëvizjes mbeti i njëjtë në të gjitha komunat përveç Malishevës, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore.

Po më 27 prill, ministri i Financave, Besnik Bislmi, prezantoi Pakon Emergjente, nga e cila u planifikua të ndihmoheshin shumë sektorë në vend.

Përveç pandemisë, zhvillime pati edhe në skenën politike. Kryeministri Kurti shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, pasi kishte deklaruar se në vend duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

Sipas Kurtit, kjo deklaratë kishte ngjallur panik te njerëzit dhe si e tillë ishte e papranueshme. Pas këtij shkarkimi, partneri i Qeverisë, LDK-ja kërkoi mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.

Kjo Qeveri u rrëzua më 25 mars, më 82 vota për, 34 kundër dhe 1 abstenim.

Ndërkaq e njëjta po vazhdon të qeverisë me vendin, derisa ende nuk është vendosur se si do të veprohet tutje.