Arbëri

Tërnava kërkon nga liderët politikë të bashkohen e të punojnë në interes të popullit

Descriptive Text

As këtë të premte nuk është falur xhumaja në asnjë xhami të Kosovës. Kjo si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19.

Mirëpo, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka dhënë mesazhin e javës përmes një videokonference duke iu drejtuar besimtarëve, qytetarëve, por edhe krerëve të institucioneve shtetërore që t’i pajis “me sabër që bashkërisht të tejkalojmë sfidat me të cilat po përballemi këtë kohë”.

Ai me këtë rast ka ftuar spektrin politik që në këtë kohë pandemie të lënë anash interesat e tyre ideologjike, politike e klanore, por të kenë parësor interesin e popullit e vendit.

“Me këtë rast ftoj të gjithë përgjegjësit, spektrin institucional e politik që të lënë anash interesat e tyre ideologjike, politike e klanore, por të kenë parësor interesin e popullit e vendit, e të bashkuar e unik ashtu siç kërkohet nga ne të jenë në krye të detyrave që ua ka besuar sovrani, duke bashkëpunuar e bashkëvepruar se vetëm kështu kryejnë mision për të cilin janë mandatuar”, thuhet në mesazhin e myftiut Tërnava, raporton KOHA.

Ai thotë se sfidat e fundit e kanë sjell popullin para një sërë dilemash e vështirësive, që nga frika e infektimit me virusin COVID-19, pasuar me krizën e brendshme politike e institucionale e deri tek përballja me vështirësitë sociale e ekonomike me të cilat po përballet shoqëria jonë.

“Përballja dhe tejkalimi i këtyre sfidave kërkon qasje serioze, kërkon përgjegjësi për veprimet, sjelljet e vendimet tona, kërkon qetësi, urtësi e mbi të gjitha kërkon unitet për të mirë, unitet për të rijetuar popullin, unitet për të mirën e vendit, dhe unitet për mbështetje e kujdes ndaj asaj kategorie të shoqërisë që është në nevojë”, tha ndër të tjera Tërnava.

Ai tha se puna e institucioneve përgjegjëse për parandalimin e koronavirusit është për t’u admiruar dhe për t’u përshëndetur, sikurse që është për t’u admiruar gatishmëria e shoqërisë tonë që të zbatoj udhëzimet e thirrjet e përgjegjësve të institucioneve që të parandalojmë përhapjen e pandemisë.

Tërnava bëri thirrje që të respektohen masat dhe udhëzimet e profesionistëve në mënyrë që të fitohet kjo betejë.

Myftiu i Kosovës tha se në ato shoqëri që ka mbizotëruar përçarja, urrejtja e interesi i momentit i një grupi apo një klani, këto shoqëri kanë ngelur prapa, kanë humbur perspektivën dhe kanë dëmtuar të ardhmen e tyre.

“Për këtë Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë thotë: “Dhe bindjuni Zotit, dhe të dërguarit të Tij, e mos u përçani mes vete e të dobësoheni e të bie nami dhe fuqia juaj. Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit”. Nëse e kuptojmë drejt mesazhin e këtij ajeti të Kuranit, dhe vejmë në zbatim porositë e tij ne do të bëjmë atë që do Zoti, do të jemi në shërbim të vendit, popullit e njerëzisë në përgjithësi”, potencoi Tërnava.

Duke u ndalur te kriza politike në vend, Naim Tërnava tha se ajo çfarë ka ndodhur nuk kthehet, por për tejkalimin e saj s’ka dyshim se neve na duhet urtësi e përgjegjësi për atë që themi e ligjërojmë, për diskursin që kultivojmë ndaj njëri -tjetrit dhe për veprimet e vendimet që marrim për vendin tonë.

“Ne të gjithë jetojmë këtu, veprojmë e punojmë në këtë vend, këtu i risim fëmijët tanë dhe këtu do të jemi edhe e pas kësaj krize, pranë njëri-tjetrit, dhe prapë duhet të punojmë e jetojmë bashkë me njëri tjetrin. Na duhet përgjegjësi e urtësi ashtu siç na ka hije dhe siç veprojnë shoqëritë e përparuara. Nuk është vlerë e popullit tonë kultivimi i gjuhës së urrejtjes që po kultivohet në debatet e këtyre ditëve. Dallimet që kemi për çështjet e caktuara, nuk duhet të kthehen në urrejtje e mosdurim, dallimet duhet parë si vlerë për të arritur atë që është më e mirë për vendin e popullin, e jo për të krijuar polarizim, huti e përçarje”, deklaroi Myftiu i Kosovës.

Më tej, Tërnava u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, ata që kanë mundësi, të gjejnë “rrugën e mënyrën e duhur për të ndihmuar ata që kanë nevojë, aq më tepër kur tani veç jemi në prag të muajit të Madhëruar të Ramazanit”.

“Me këtë rast apeloj te të gjithë besimtarët dhe qytetarët që kanë mundësi materiale që të kujdesen e të mbështesin familjet që këto ditë kanë nevojë për ndihmën e përkujdesjen tonë. Ne, kujdesin e solidaritetin ndaj njëri - tjetrit e kemi vlerë të kultivuar ndër shekuj dhe vlerë dalluese të popullit tonë dhe pikërisht kjo vlerë na ka bërë të fortë t’i përballojmë sfidat e furtunat me të cilat na ka përballur historia. Andaj, në këtë ditë të xhumasë ju ftoj që të jemi sa më solidar, të ndihmojmë vëllezërit tanë, fqinjët tanë dhe ata që sot ka nevojë për ndihmën tonë, ngase Allahu i Madhërishëm ne Kuranin Fisnik ka garantuar se shpërblimi i bamirësve nuk do humbet kurrë duke thënë: “Vërtete Allahu, bamirësve nuk do t’ua humbë shpërblimin”. (et-Tevbe, 120). Ndërsa, Muhamedi a.s. na mëson se: Njeriu bujar e dorëdhënës është afër Zotit, afër Xhennetit e larg Zjarrit të xhehenemit”, ka theksuar ai.