Arbëri

Pandemia anulon manifestimet për Betejën e Koshares, qytetarët individualisht kujtojnë të rënët

Ruzhdi Gashi për herë të parë pa anëtarët e tjetër të familjes ka ardhur në Koshare për të përkujtuar djalin e tij, Luanin.

Për Luanin, i cili kishte pasur vetëm 22 vjet kur kishte rënë në Betejën e Koshares, Gashi thotë se ndihet krenar, raporton KOHA.

Por 21 vjet pas, malli për të asnjëherë nuk iu shua.

Dhimbja për humbjen e djalit, Bashkimit, Ramadan Jasiqin e ka bërë më të fortë.

Megjithëkëtë, ai thotë se Kosova nuk është ende vendi për të cilin ëndërroi i biri i tij dhe të tjerët që humbën jetën në këtë betejë.

Për 21-vjetorin e Betejës së Koshares pa ndonjë organizim shkaku i pandemisë, një numër i vogël qytetarësh e familjarë në mënyrë individuale kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial.

Beteja e Koshares, e cila theu kufirin Kosovë-Shqipëri është njëra prej betejave më të rëndësishme gjatë luftës në Kosovë.

Thyerja e kufirit më 9 prill 1999 shënoi fitore morale për UÇK-në, derisa i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.