Arbëri

Institucionet kanë pak ditë kohë të përcaktohen për masat e reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve

Dy rrugë u kanë mbetur institucioneve që pas datës 13 prill të kufizojnë lëvizjen e qytetarëve për shkak të pandemisë.

Gjykata Kushtetuese e ka lënë vendimin jokushtetues të Qeverisë në fuqi edhe 5 ditë. Pas kësaj dite ky vendim nuk mund të zbatohet, transmeton KOHA.

Sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, të cilin e ka përmendur edhe Gjykata Kushtetuese në aktgjykim, vendimet për kufizimin e lëvizjes merren ndaras për lokacione e jo për tërë vendin, me një vendim.

Vendimet ndaras për kufizim të lëvizjes në komuna mund të merren që nga e enjtja. E një gjë të tillë e ka paralajmëruar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Megjithatë, kufizimet në këtë formë do të bëhen derisa kjo çështje të adresohet nga Kuvendi i Kosovës. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thekson se Qeveria nuk mund t’ua kufizojë me vendim të drejtat qytetarëve, të cilat me ligj ia ka garantuar Kuvendi.

Kësisoj, Kuvendi është institucioni që mund të kufizojë lëvizjen.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në emision “DESK” të KTV-së ka thënë se një e gjë e tillë do të iniciohet.

Qeveria e Kosovës më 23 mars 2020 kishte vendosur që të kufizonte lirinë e lëvizjes së qytetarëve si masë mbrojtëse në kohë të pandemisë. Kundër këtij vendimi kishte dalë presidenti i Kosovës, i cili e kishte cilësuar këtë vendim në kundërshtim me Kushtetutën, dhe ndaj tij kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë e ka cilësuar vendimin e jashtëligjshëm, por e ka lënë në fuqi derisa institucionet të marrin vendime të ligjshme për kufizimin e lëvizjes.