Arbëri

CDF-ja ndihmon sistemin shëndetësor të Kosovës me pajisje për testim për COVID-19

Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) ka mbështetur sistemin shëndetësor të Kosovës përmes donacionit me pajisje personale mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë dhe pajisje për testim për COVID-19.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate, mbështetja u bë e mundur përmes Programeve për Tuberkuloz dhe HIV të financuara nga Fondi Global që Lufton AIDS, TB dhe Malarien.

CDF, përmes grantit të Fondit Global, ka arritur të sigurojë përkrahje emergjente për sistemin shëndetësor, në kuadër të reagimit ndaj krizës aktuale të pandemisë së COVID -19.

Pajisjet personale mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë që gjenden në linjën e parë të reagimit ndaj CODIV – 19 janë dorëzuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Aty përfshihen 45,000 doreza josterile, 15,000 doreza sterile, 900 kominoshe, 700 maska respiratore dhe 20.000 mbulesa mbathjesh.

Ndërkaq, gjatë muajit mars, në mbështetje të reagimit ndaj pandemisë së COVID-19, CDF ka siguruar për sistemin shëndetësor të Kosovës edhe 36,000 dorëza sterile, 520 maska respiratore N95, 350 litra dezinfektues dhe 20,000 fletëpalosje, material për informim dhe edukim mbi COVID -19, masat parandaluese dhe ballafaqimin me stresin dhe frikën.

Mirëpo, CDF-ja thotë se kjo nuk është e tëra pasi që Fondi Global do të vazhdojë të luajë një rol qenësor në reagimin global ndaj pandemisë së COVID-19, sidomos duke mbështetur sistemet shëndetësore më pak të zhvilluara, në vendet ku financon programe të fokusuara në pandemi të HIV-it, tuberkulozit dhe malaries.

“Prandaj, në javët dhe muajt në vijim, CDF pret të sigurojë mjete shtesë në përkrahje të parandalimit dhe zbulimit të rasteve me COVID-19”, thuhet në komunikatën e CDF-së.