Arbëri

Mësimi i parë: si iu kthyem mjekut “të shtetit”

Foto: Koha

1.

Çka mësuam në këtë muaj krize me koronavirusin?

Ja katër sugjerime, prej një liste që me siguri do të jetë më e gjatë: shëndeti nuk është privat, celulari nuk është shkollë, vota nuk është njëpërdorimëshe dhe muret nuk mbrojnë.

Të fillojmë me të parën. Prej fillimit të krizës COVID-19 menaxhimin e aspektit shëndetësor të saj e morën institucionet e shëndetit publik (IKSHK, QKUK) nën koordinimin e resorëve gjegjës të Qeverisë së Kosovës. Kjo do të duhej të ishte e natyrshme, sepse po ndodh gjithandej Evropës. Është e nënkuptueshme që “shteti” (nocioni ynë për sferën publike) ta administrojë gjendjen. Por, kjo nuk është ashtu për Kosovën. Përderisa i shkruaj këta rreshta, nuk ekziston sistem financimi të drejtpërdrejtë të qytetarit në shëndetësinë publike, çfarë kanë shtetet evropiane, ç’prej me këtë punë filloi të merrej Bismarcku në fund të shekullit XIX.

Më 2020-n vendi ka hyrë pa sistem funksional të sigurimeve, me të cilin ne si qytetarë do ta financonim sistemin tonë shëndetësor. Në vend të sistemit, ka ekzistuar financimi nga buxheti i Kosovës, që është treguar të jetë formë e suksesshme për korrupsion endemik e punësim të pjesëtarëve të feudeve politike e familjare në çdo segment të quajtur publik- prej shëndetësisë, PTK-së, RTK-së e kështu me radhë. Tërë nocioni ynë i shëndetësisë publike është reduktuar në bindjen tashmë kolektive se shëndetësia publike ekziston si instrument kapjeje (dhe, rrjedhimisht jokompetence), ndërsa institucionet kompetente mjekësore që merren me shëndetin e njeriut janë ato private.

2.

Ekziston një mospërputhje në relacionin qytetar-shëndetësi. Deri më sot qytetari i ka konsideruar të nënkuptueshme (dhe të paragjykuara) dy gjëra të thjeshta. Një, se nëse dëshiron shërbime mjekësore cilësore ato do t’i paguajë në institucione private. Dy, kush nuk mund të paguajë për shërbime private, do të shkojë tek “ambulanca e shtetit” apo “spitali i shtetit” dhe do të marrë shërbime më të dobëta, por gratis.

E, megjithatë, me shpërthimin e COVID-19 të gjithë sytë janë të drejtuar kah mjekët që punojnë në sektorin publik. Jeta e të gjithë neve, në aspekt të trajtimit mjekësor, sot nuk varet prej mundësisë së një personi për të shkuar në spitale të Shkupit, Stambollit apo Gjermanisë - aty ku eksportohet pjesa e madhe e shpenzimeve të kosovarëve për shëndetësi-por prej menaxhimit të suksesshëm me tërë zinxhirin e trajtimit të COVID-19, prej epidemiologëve dhe ekspertëve të tjerë që zbulojnë vatrat e infeksionit deri te vozitësit e ndihmës së shpejtë, infermierët dhe pulmologët që merren me shërimin e të infektuarve. Që të gjithë janë të sektorit publik.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.