Arbëri

Ushtarët në luftën ndaj Covid-19

Për të hyrë brenda objekteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) zakonisht duhet ndjekur procedura të përcaktuara me protokoll, por aktualisht kontrollet janë shtuar si masë mbrojtëse nga Covid-19.

Ushtarët vazhdimisht janë në shërbim të shtetit, e sidomos në rastet e jashtëzakonshme.

Kjo është Qendra Mjekësore e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila gjendet në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.

Edhe për të hyrë këtu, ushtarët dhe i gjithë stafi civil duhet t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore, raporton KOHA.

Në tendën e vendosur për kontrolle bëhet skanimi i personelit ushtarak i të gjitha njësive para se të nisin punën dhe pas përfundimit të saj, ndërkohë pjesëtarët gjatë pritjes për kontrolle mbajnë distancën sociale të rekomanduar.

Drejtori i Qendrës Mjekësore të FSK-së, Shkëlzen Syla, thotë se në këtë qendër, në kushte normale, kryhen kontrollet rutinë të ushtarëve.

Ky shërbim ka edhe laboratorin e saj, por në rastet e Covid-19 aty do të duhet ndërhyrja e Institutit Publik të Shëndetësisë në Kosovë.

Aktualisht kjo qendër ka 3 reparte me 40 shtretër, por për shkak të përgatitjeve që po bëhen në rast se mund të ketë përshkallëzim të gjendjes së pandemisë, atëherë qendra ka nevojë për masa shtesë.

Këtë javë pritet të rriten kapacitetet me një repart shtesë, ku gjithsej do të jenë 60 shtretër.

Majori Adem Preteni, i cili është komandant i Regjimentit mjekësor thotë se FSK-ja vazhdimisht është në shërbimin e popullit. Ai thotë se ushtarët në këtë periudhë kanë shtuar gatishmërinë për çfarëdo situate të reagojnë.

E në periudhën e fundit, interesimi për Qendrën Mjekësore të FSK-së është shtuar edhe nga liderët shtetërorë, të cilët kanë vizituar këtë objekt për të parë nga afër kapacitetet që mundet t’i ofrojë nëse nevojitet gjatë situatës së krijuar nga koronavirusi.