Arbëri

Zhvillimet në veri cilësohen skenarë me prapavijë të rrezikshme, politikanët ashpërsojnë përplasjet

Reagimet të shumta nxitën përpjekjet për të krijuar tensione në veriun e populluar me shumicë serbe, në kohën kur vendi po përballet me përhapjen e pandemisë së koronavirusit.

Një ditë pasi presidenti Thaçi deklaroi se Qeveria me mosveprimet e saj po u krijon terren strukturave paralele në veri, ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Nëpërmjet një videoje të publikuar në “Facebook”, Kurti porositi qytetarët që deklarimet e presidentit për veriun të merren me rezervë.

Duke aluduar në Thaçin, kryeministri në detyrë ka thënë se po tentohet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, raporton KOHA.

“Po, ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Mirëpo, ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provojnë tensione, sepse duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin”, ka thënë Kurti.

Pas disa raportimeve se komunat në veri u futën në karantinë me urdhër të Beogradit, ka reaguar presidenti Thaçi. Ai ka thënë se, “Qeveria e Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë. Sipas tij, në veri po u krijohet hapësirë ilegale vepruese, autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”.

Por qeveria në detyrë ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është e përfshirë plotësisht në situatën emergjente në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe në Zveçan.

Ndërkaq Policia e Kosovës dhe karabinierët italianë të shtunën janë vendosur tek ura e Ibrit në Mitrovicë, duke mos lejuar qytetarët të dalin në pjesën veriore.

KFOR-i e ka konfirmuar për “Kohën” se është duke monitoruar nga afër situatën, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë.

“Ndërkohë njësitë e KFOR-it janë duke vazhduar operacionet e tyre si përgjegjësi i tretë i sigurisë dhe ka ndërmarrë të gjitha masat parandaluese ndaj Covid-19. Gjatë javës së kaluar janë kryer afro 500 aktivitete në tërë Kosovën, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”, është thënë nga Zyra për informim e KFOR-it.

Në anën tjetër, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian bënë thirrje që të lihen anash ndarjet etnike dhe fokusi të jetë në luftimin e pandemisë.

“Ne i lavdërojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, me rrezik të madh, për të zvogëluar përhapjen e COVID-19 në Kosovë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Angazhimi i përbashkët, duke ndjekur udhëzimet e profesionistëve të shëndetit dhe lënia anash ndarjet mes komuniteteve, janë thelbësore për mposhtjen e Covid-19. Së bashku mundemi”, është thënë nga ambasada e SHBA-së.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, thotë se duhet të lihen anash dallimet politike dhe debatet e padobishme teksa Kosova përballet me një krizë shëndetësore të paprecedent.

“Është tejet e rëndësishme që qytetarët, në tërë Kosovën, në të gjitha komunat, të kenë informata të qarta se cilat shërbime i kanë në dispozicion dhe si mund të ndihmohen për parandalim, ashtu si edhe në rast të infektimit”, ka thënë Apostolova.

Analisti dhe gazetari nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, Branislav Kërstiq, i ka quajtur skenarë me prapavijë të caktuar zhvillimet e fundit rreth veriut.

“Një skenar, si ky që po ndodh në veri ka prapavijë të caktuar që ndodhet në tavolinën e liderëve që po e udhëheqin marrëveshjen e mundshme mes Prishtinës e Beogradit, por shifrat flasin se për Serbinë është problem i madh ngase në Novi-Pazar u konstatua se janë 13 infektime të reja vetëm aty e presidenti Vuçiq shkon aty sot, e në veri, në gjithë territorin ka më pak banorë se aty e dyfish më shumë të infektuar. Nëse i shohim faktet duhet të jemi të kujdesshëm, por ekzistojnë indikacione që kjo gjendje e jashtëzakonshme mund të ketë si prapavijë… sepse e dimë që ky vendim u soll edhe në pajtim me Beogradin por tani dëgjojmë nga mediat në Prishtinë se kryetarët e komunave patën bashkëpunim edhe me Prishtinën andaj ka dyshime se ky virus nuk është aq vdekjeprurës dhe të gjitha vendimet lidhur me këtë mund të ndërlidhen me atë që është marrëveshje mes Vuçiqit e Thaçit”, ka thënë ai.

Ndërkaq e ashtuquajtura Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka deklaruar se, qytetarët duhet t’i zbatojnë masat e përcaktuara nga Shtabi i Krizave dhe institucionet shtetërore të Serbisë.

Nga komunat e populluara me shumicë serbe në Kosovë, 17 persona deri më tani kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, derisa është shënuar edhe një viktimë nga Komuna e Leposaviqit.