Arbëri

Emërimi i Lajçakut ndan opinionin publik, disa e quajnë emërim të gabuar

Me këndvështrime të ndryshme është duke u parë në vend, emërimi i ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, si emisar i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njohësve të proceseve evropiane, emërimi i sllovakut është dëshmi e përqendrimit që do të ketë BE-ja në bisedimet Kosovë-Serbi.

Për dallim nga Demush Shasha i Institutit EPIK dhe analisti Emrush Ujkani, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur i shqetësuar me angazhimin e ministrit të Jashtëm sllovak, raporton KOHA.

“Kemi të drejtë, po ashtu, të shprehim shqetësimin tonë sesi do ta drejtojë dialogun përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borell, i cili Serbinë e cilëson shtet, kurse Kosovën, vetëm, vend që nuk e kanë njohur edhe 5 shtete të BE-së. Ose se, a është më i qëlluari i tij, z. Lajçak, që kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ai që do të jetë neutral në ndërmjetësimin e dialogut”, ka shkruar ndër të tjerash Mustafa në Facebook.

Angazhimin e ri të Miroslav Lajçakut nuk e ka mirëpritur as analisti gjerman, Bodo Weber.

“Është argument më i rëndësishëm, që për fat të keq duhet ta bëj nga pikëpamja pro-evropiane. Ajo çfarë mund të identifikohet pas gjithë kësaj procedure, ku së pari emërohet Borelli e më pas Lajçaku, është se ka lidership të pamjaftueshëm evropian në këtë çështje të negociatave për më tepër për rinisjen e negociatave mbështetur mbi mësimet e mësuara të dy vjetëve të negociatave të udhëhequr keq për shkëmbime të rrezikshme territoresh”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë çështje, KOHA ka provuar të marrë qëndrim edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, mirëpo gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.

Miroslav Lajçaku është zyrtarizuar të premten si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, derisa mandati fillestar i tij pritet të jetë njëvjeçar.