Arbëri

Transfuziologu Hoxha propozon mjekimin e Covid-19 me plazmën e të shëruarve

Hakif Hoxha, transfuziolog dhe imunohematolog në pension, ka propozuar që në Kosovë të nisë përdorimi i plazmës së të shëruarve nga Covid-19 me antitrupat e krijuar, që tashmë ka nisur të përdoret në SHBA dhe Evropë.

Në një bisedë për KOHËN, ai ka thënë se një gjë e tillë mund të përdoret në shërimin e pacientëve të tjerë.

“Plazma e të shëruarit përmban antitrupa kundër virusit, të cilët e neutralizojnë virusin. Rezultatet e mjekëve kinezë janë shumë inkurajuese. Kanë filluar ta aplikojnë edhe amerikanët e evropianët, të cilët po bëjnë thirrje për donatorë të plazmës”, ka thënë Hoxha.

Tutje, ai ka shtuar se një gjë e tillë mund të bëhet edhe në Kosovë, përmes një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet infektologut dhe transfuziologut, apo shërbimit për transfuzion.

“Bëhet paneli i personave që dalin nga klinika apo që e kanë kaluar sëmundjen, e më pas kryhen testimet e nevojshme për dhurimin e gjakut. Duhet të kalojnë për 4 javë prej fillimit të sëmundjes. Prej tyre nxirret plazma dhe u jepet të sëmurëve në gjendje kritike”, ka thënë Hoxha për KOHËN.

Hoxha, gjithashtu, ka folur rreth situatës së krijuar në Kosovë nga koronavirusi, me ç’rast bën thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, ta mbajnë distancën fizike dhe t’i ndjekin këshillat e OBSH-së.

Sipas tij, deri më tani, situata është menaxhuar mirë nga institucionet përkatëse.

“Ne nuk kemi zgjedhje më të mirë sesa distancimi fizik apo izolimi, kur i dimë kapacitetet tona mjekësore për trajtim. Mendoj se sikur të shpërthente epidemia do të kishte shumë vdekje pa trajtim të dinjitetshëm, prandaj të rrimë në shtëpi t’i përcjellim rekomandimet e OBSH-së”, ka thënë Hoxha.

Procesi i plazmës përfshin marrjen e gjakut prej një dhuruesi, në këtë rast dikujt që është shëruar nga COVID-19, por është në përgjithësi në shëndet të mirë dhe i përmbush kriteret tjera për dhurimin e gjakut. Ky gjak më pas futet në pajisjen për nxjerrjen e plazmës. Gjaku i mbetur më pas i kthehet dhuruesit.

Procesi zgjat 90 minuta dhe plazma e një dhuruesi të vetëm mund të përdoret për trajtimin e tre apo katër pacientëve.

Dhuruesit duhet të ketë qenë të diagnostikuar me COVID-19 dhe duhet të presin një periudhë të caktuar kohore pasi që dalin negativë në sëmundje, për ta dhuruar plazmën. Gjatë kësaj kohe po ndërmerren edhe testime për ta matur vëllimin e antitrupave.

Spitalet amerikane janë duke e përdorur tashmë këtë trajtim, të shfrytëzuar për herë të parë në vitet tetëdhjetë, shkruan Reuters.

Njerëzit që u mbijetojnë sëmundjeve infektuese si COVID-19, kanë në gjakun e tyre antitrupa apo proteine të prodhuara prej sistemit imunitar të trupit, për ta luftuar virusin. Komponenti i gjakut që përmban antitrupat mund të mblidhet dhe t’u jepet pacientëve të infektuar dhe ajo njihet si plazmë e të shëruarit.

“Historikisht kjo ka funksionuar”, ka thënë Dr. Jeffrey Henderson, profesor i asociuar i mjekësisë dhe mikrobiologjisë në Shkollën Universitare të Uashingtonit për Mjekësi në St. Louis. “Para vaksinave, plazma përdorej për sëmundjet infektuese si fruthi dhe difteria”.

Trajtimi me plazmë ishte përdorur me sukses edhe gjatë pandemisë së gripit të 1918-s, ka thënë ai.

Mjekët në SHBA thonë se protokollet, si dozimi, janë ende të papërcaktuara për pacientët e COVID-19, por ata besojnë se kjo metodë ia vlen të përdoret, të paktën derisa të zhvillohet një vaksinë apo trajtim efektiv i COVID-19.

Klinika “Mayo” dhe institucionet tjera amerikane janë duke zhvilluar studime klinike. Studime të ngjashme po zhvillohen edhe në shtetet tjera, të goditura rëndë nga virusi, dhe disa prej të dhënave të tyre janë publikuar.

Në një studim në Kinë, nivelet e virusit në pesë pacientë të sëmurë rëndë me COVID-19 ishin të padetektueshme pas transfuzioneve të plazmës, sipas rezultateve të publikuara në Gazetën e asociacionit të mjekëve amerikanë.