Arbëri

Veseli kërkon nga Qeveria të zgjerojë kapacitetin e karantinimit për riatdhesim të shpejtë të qytetarëve

Descriptive Text

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, përmes një postimi në Facebook i ka bërë thirrje Qeverisë në ikje që të ndërmerrë masa për riatdhesimin e qytetarëve dhe të zgjerojë kapacitetin e karantinimit.

Ai thotë të ketë biseduar sot me ambasadorët e Kosovës në disa vende të Evropës.

“Pata kënaqësinë të bisedoja me ambasadorët e Kosovës në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Francë, të cilët i thirra në telefon për t'u interesuar për gjendjen e diasporës sonë në këto vende në kushtet e pandemisë. Duhet të jemi mirënjohës ndaj vendeve pritëse për kujdesin që po tregojnë për bashkatdhetarët tanë por edhe të krenohemi me shërbimin tonë diplomatik për dedikimin që po dëshmon. U gëzova kur më treguan se edhe bizneset e diasporës janë mobilizuar në solidaritet për të ofruar mbështetje për studentët e Kosovës të mbetur jashtë, prandaj me të vërtetë meritojnë të lavdërohen”, ka shkruar Veseli.

Ai shton se është informuar gjithashtu edhe se ka qindra shtetas që kanë shprehur vullnetin për t'u kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë gjë që e kanë të drejtë të mbrojtur nga Kushtetuta.

“Prandaj i bëj thirrje qeverisë në ikje të Kosovës, që sa më parë t'iu gjendet në ndihmë e të marri masa për riatdhesimin e të gjithë shtetasve tanë, të cilët janë bllokuar jashtë e duan të kthehen. Po ashtu, bëj thirrje që sa më shpejt të investohet për të zgjeruar kapacitetet e karantinimit të qytetarëve tanë të cilët rikthehen në vendlindje”, ka shkruar Veseli.