Arbëri

PSD: Na duhet çpunësim i mekanizmit të kapjes, jo zëvendësim i kapësve

Partia Socialdemokrate ka reaguar për emërimet dhe shkarkimet e fundit në bordet e ndërmarrjeve publike.

Në një komunikatë të nisur nga kjo parti të premten thuhet se Qeveria në detyrë ia dha publikut një provë të re, duke demantuar veten dhe pritjet e mëdha që ka mbjell.

“Ka shumë njerëz të diskriminuar në Kosovë. Shumë padrejtësi e shkelje janë bërë, andaj edhe kemi shumë pakënaqësi të akumuluar. Të gjithë janë ndjerë të përfaqësuar me shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Borde këto të zgjedhura mbi baza partiake, nepotiste e klanore nga qeveria e kaluar.

Nuk vonoi shumë dhe u kuptua se këto veprime ishin veçse ushqim për propagandën. Mund të kemi tingëlluar pretencioz dikur, por për ne kjo nuk është befasi. Njerëz të korruptuar, njerëz të partisë kemi gjithandej, nëpër ministri e borde”, thuhet në komunikatën e PSD-së .

Kjo parti ka folur veç e veç për anëtarët e emëruar, e që sipas saj janë pjesë e VV-së, e një prej tyre edhe me “dosje korruptive”.

“Ka diçka që i dallon kapësit e rinj nga të vjetërit. Këta vijnë me ‘tagrin legjitim’ të kapjes në emër të popullit. Për këtë popull di e flet vetëm partia teksa e konstrukton. E kanë thënë hapur madje se udhëheqjet e ndërmarrjeve duhet të jenë politikë. Hija e ‘funksionarëve’ të partisë po na sillet vërdallë në Kosovën e vitit 2020. Një projekt koletiv emancipues nuk duhet ta bëjë pjesë të vetes dhunën e ideologjinë e sistemit. Çfarë na duhet është çpunësim i mekanizmit të kapjes, jo zëvendësim i kapësve”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.