Arbëri

Një mjek i urgjencës në Prizren ndodhet në vetizolim

Foto: Komuna e Prizrenit / FB

Një mjek i Shërbimit të Urgjencës në Komunën e Prizrenit është në vetizolim, pasi ka raportuar se ka pasur kontakt me një person të infektuar me koronavirus.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu ka deklaruar për KOHËN se në momentin që personi, i cili është kthyer javë më parë nga Bullgaria ka rezultuar pozitiv për koronavirusin, menjëherë është rekomanduar edhe njëri prej mjekëve të Urgjencës që të vetizolohet. Personi i kthyer nga Bullgaria të martën është konfirmuar pozitiv me koronavirus.

“Mjeku i shërbimit të urgjencës na ka njoftuar se ka pasur kontakt me vjehrrin e tij, i cili ka rezultuar pozitiv. Prandaj ne menjëherë i kemi thënë mjekut që të shkojë në shtëpi për vetizolim”, ka thënë Shehu.

Sipas tij, paralelisht është drejtuar kërkesa edhe në IKSHP për testimin e mjekut përkatës, gjë që pritet të realizohet të premten.

Shehu ka njoftuar se aktualisht në Komunën e Prizrenit në vetizolim janë 21 persona dhe se informatat lidhur me këtë çështje i janë përcjell edhe Policisë së Kosovës.