Arbëri

IMK-ja kërkon nga Qeveria në detyrë të ndihmojë mediat në Kosovë

Foto: Koha / ilustrim

Instituti i Medias së Kosovës ka kërkuar sot nga kryeministri në detyrë Albin Kurtit, ministri në detyrë i Financave Bislim Bislimi dhe Komisioni i Pavarur i Mediave të Kosovë, që të ndihmohen mediat pas situatës së rëndë që ka shkaktuar COVID-19.

IMK-ja kërkon nga Qeveria që të udhëzojë Komisionin e Pavarur të Medies që të heqë taksën e licencës për këtë vit, të konsiderojë gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë si kategori e vijës së parë të frontit kundër COVID-19, si mjekët e policët, të ndihmojë financiarisht pronarët e mediave të licencuara, për të mbuluar shpenzimet e tyre për pagat e punëtorëve dhe shpenzimet e tjera, nga shpallja e gjendjes emergjente e derisa të zgjasë ajo.

“Në emër të radiove dhe televizioneve të licencuara në Kosovë, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të mbështetë mediat e Kosovës në kuadër të fondit të veçantë për bizneset dhe të punësuarit, për shkak se funksionimi i tyre është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të Kosovës. Mediat në Kosovë jetojnë nga marketingu dhe në këtë kohë kur po përballemi me virusin korona, kompanitë tashmë kanë ndërprerë reklamimin e tyre në media. Rrjedhimisht, mediat (pos RTK-se që financohet nga buxheti i shtetit), gjatë muajit mars nuk kanë realizuar pothuajse asnjë të hyrë”, thuhet në kërkesë.

Në Kosovë janë 170 medie audio-vizuale, të licencuara nga Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës, një pjesë e madhe syresh është rrezik që të mbyllen dhe punëtorët e tyre të largohen nga puna.

Punëtorët e mediave të Kosovës nuk e kanë ndërprerë asnjë ditë punën e tyre, dhe pronarëve të mediave u janë rritur shpenzimet edhe më shumë, duke krijuar kështu borxhe të shumta.

Gjysma e mediave janë kompani private dhe gjysma OJQ. Mediat që funksionojnë si OJQ ligjërisht nuk mund as edhe të huazojnë, andaj kërcënohen me mbyllje imediate.

Muaji qershor është afati përfundimtar për pagesën e taksës vjetore të licencës, mjete këto që shkojnë në buxhetin e shtetit.